BE-ja konsideron se vendimi i qeverisë së Kosovës për të shkarkuar Ekipin Menaxhues vetëm një ditë pasi prezantoi në Bruksel statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, bie ndesh me marrëveshjen e Ohrit. Roli i këtij ekipi, deklaroi zëdhënësi i bllokut Peter Stano, përfundon vetëm kur të miratohet statuti.
“Ai ekip mori pjesë si delegacion më vete dhe ishte ftuar të vinte e t`i bashkohej takimit për një pikë të rendit të ditës. Nuk ishte pjesë e asnjërit delegacion, as të Serbisë e as të Kosovës. Përbërja e tij është në përputhje me marrëveshjen e dialogut dhe palët janë pajtuar me këtë. Anëtarët e Ekipit Menaxhues janë propozuar nga Serbia dhe janë emëruar zyrtarisht nga Kosova”, tha Stano.
Ekipi i përbërë nga katër serbë nga Kosova mori pjesë në takimin e fundit të dialogut në nivel të lartë ku paraqiti draftin e planit të tij për bashkësinë e komunave serbe, por propozimi u hodh menjëherë poshtë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti nënvizoi po ashtu se koordinatorja e këtij ekipi, Danijella Vujiçic, “është në konflikt interesi”, sepse ajo ka bërë betimin si deputete në Kuvendin e Republikës së Serbisë. Kosova dhe Serbia e arritën marrëveshjen për formimin e Asociacionit në vitin 2013, ndërsa për parimet e tij ranë dakord në 2015-tën.
Ujdia megjithatë nuk u zbatua kurrë për shkak të këmbënguljes së Beogradit që Asociacioni të ketë kompetenca të gjera dhe refuzimit të Prishtinës me arsyetimin se kjo mund të kërcënojë funksionimin e shtetit.
Top Channel