SHBA-ja rrit normat e interesit në vlerën më të lartë që 16 vjet

03/05/2023 21:13

Banka Qendrore e SHBA-së ka rritur normat e interesit në nivelin më të lartë në 16 vjetët e fundit, në tentim për t’i stabilizuar çmimet.

Rezerva Federale rriti normën bazë të interesit për 0.25 për qind – rritja e dhjetë në 14 muajt e fundit.

Këto vendime i kanë rritur ndjeshëm kostot e huamarrjes në të gjithë vendin me ekonominë më të fuqishme në botë, duke shkaktuar ngecje në disa sektorë, si ai banesor, dhe çoi drejt falimentimit të fundit të tre bankave amerikane.

Rezerva Federale paralajmëroi se kjo rritje e normave të interesit mund të jetë e fundit për momentin.

Banka Qendrore e SHBA-së filloi t’i rrisë në mënyrë të ndjeshme normat e interesit vitin e kaluar kur çmimet në SHBA po rriteshin me ritmin më të shpejtë në dekada.

Këto vendime e kanë shtyrë cakun për normën standarde të interesit në 5 deri në 5.25 për qind, në dallim prej afër zeros sa kishte qenë në mars të vitit 2022.

Bankat qendrore në mbarë botën, përfshirë ato në Evropë, kanë ndërmarrë veprime të ngjashme.

Normat më të larta të interesit e bëjnë më të shtrenjtë blerjen e një shtëpie, huamarrjen për të zgjeruar një biznes ose për të marrë borxhe të tjera. Duke rritur këto kosto, zyrtarët presin që kërkesa të bjerë dhe çmimet të stabilizohen.

Që kur Rezerva Federale filloi fushatën e saj, rritjet e çmimeve në SHBA kanë treguar shenja stabilizimi.

Në mars, inflacioni, norma me të cilën rriten çmimet, qëndroi në 5 për qind – niveli më i ulët në gati dy vjet – megjithëse ende në nivel të pakënaqshëm për Rezervën Federale, i cili synon një vlerë prej 2 për qind./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA