Psikiatrja lëshoi raportin kundrejt 5 mijë lekëve pa parë pacientin, nën hetim dy mjekë pas denoncimit në Fiks Fare

03/05/2023 15:47

Pas denoncimit në “Fiks Fare”, procedohen penalisht dy mjeke në Durrës, të cilat shpërdoruan detyrën.

Policia e Durrësit njoftoi se mjeket u proceduan pasi nga rasti i transmetuar mbrëmjen e kaluar në Top Channel rezulton se ato vepruan në kundërshtim me ligjin, gjatë kryerjes së detyrës.

Njëra prej tyre, duke shpërdoruar detyrën, pajisi me rekomandim mjekësor një shtetas, ndërsa mjekja tjetër pranoi një shumë parash në këmbim të plotësimit të një dokumenti për një pacient.

Rekomandimi mjekësor u lëshua në mungesë të pacientit kundrejt një rryshfeti prej 5 000 lekësh për probleme te shëndetit mendor.

Strukturat hetimore të DVP Durrës, menjëherë pas transmetimit të rastit, mbrëmjen e djeshme, në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku u shfaqen 2 shtetase, mjeke në institucione shëndetesore të ndryshme të qarkut të Durrësit, duke ushtruar detyrën në kundërshtim me ligjin, referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset

Silvana D., 34 vjeç, banuese në Durrës, me detyre mjeke familjeje. Ajo  dyshohet se duke shpërdoruar detyrën si Mjeke e Përgjithshme në Qendrën Shëndetësore Nr. 5, Durrës, ka pajisur me rekomandim mjekësor për te mjeku specialist një pacient, përmes të ashtuquajtures familjare e tij që ishte personi i infiltruar nga stafi i emisionit investigativ. Pacienti nuk ishte prezent gjatë vizitës dhe as nuk ishte banor i zonës që mbulon me shërbime qendra shëndetësore ku punonte 34-vjeçarja. Njëkohësisht u procedua penalisht dhe mjekja psikiatre

Greta G., 51 vjeçe, banuese në Durrës, pasi dyshohet se ka plotësuar një dokument për përcaktimin e diagnozës mjekësore të pacientit me kërkesë të personit të infiltruar nga stafi i emisionit investigativ në këmbim të shumës prej 5000 lekë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës falënderoi median dhe qytetarët që denoncojnë raste të paligjshmërive të ndryshme, duke i siguruar se strukturat vendore dhe qendrore të policisë, do të reagojnë menjëherë me qëllim nxjerrjen e autorëve, përpara përgjegjësisë ligjore.

Linku i plotë “Fiks Fare”: https://www.youtube.com/watch?v=ejZPEWpgj9c

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA