Problemet logjistike gjatë luftës në Ukrainë/ Rusia tenton t’i japë fund mungesës së municioneve, ‘përshpejton prodhimin e armëve’

02/05/2023 16:51

Rusia ka marrë masa për të përshpejtuar prodhimin e armëve për të përmbushur kërkesat e fushatës ushtarake në Ukrainë. Lajmi është bërë me dije nga ministri i Mbrojtjes i Kremlinit, Sergei Shoigu, gjatë një takimi me zyrtarët më të lartë ushtarakë të Rusisë.

Zyrtari i Kremlinit tha se Moska kishte ndërmarrë hapa për të rritur prodhimin e armëve për të mbështetur luftën, pasi – sipas tij – suksesi i forcave ruse në fushën e betejës “do të varet kryesisht nga rimbushja në kohë e armëve” dhe pajisjet ushtarake.

Megjithatë, komentet janë në kontrast të drejtpërdrejtë me një raport të Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar të lëshuar sot, në të cilin thuhet se Rusia “nuk ka municione të mjaftueshme për të arritur sukses në ofensivë”.

Përditësimi shtoi gjithashtu se Rusia “po dështon të përmbushë kërkesat e kohës së luftës” dhe duke vuajtur “probleme logjistike”. Sidoqoftë, sipas Shoigu, trupat ruse po i shkaktonin goditje të rënda Ukrainës në të gjithë vijën e frontit, por furnizimi me armë ishte vendimtar për të siguruar ndonjë sukses për Moskën.

“Udhëheqja e vendit u ka vendosur sipërmarrjeve të mbrojtjes detyrën për të rritur ritmin dhe vëllimin e prodhimit në një kohë të shkurtër”- tha Shoigu, sipas një transkripti të fjalës së tij të publikuar nga dikasteri që ai drejton.

Ministri i Mbrojtjes ruse tha se ushtria kishte të gjithë municionin që i nevojitej për përdorim në fushën e betejës këtë vit, por i bëri thirrje një prodhuesi të madh raketash që urgjentisht të dyfishojë prodhimin e raketave me precizion të lartë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA