Të afërmit e dy personave të zhdukur prej gati një muaji në Sarandë kërkojnë gjetjen e trupave të tyre, ndërsa protestuan para Policisë së Shtetit.
Pas takimit me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, vëllai i njërit prej të zhdukurve tha se vazhdojnë hetimet për ngjarjen.
Vëllai i madh i Fatmirit: Të gjenden trupat dhe ti çojmë në shtëpi, nuk më dhanë shpjegime, jemi në rrugë të mbarë, nuk më dhanë shpresë, po vazhdojmë hetimet, të shpresojmë ia kemi lënë në dorë Policisë së Shtetit, për momentin do e ndërpresim, në datën 6, asnjë shqetësim ka ikur nga lokali e ka marrë një shok në telefon, shumë i qetë, s’kemi pasur probleme deri në këtë pikë, s’kemi asnjë lloj dyshimi, s’kemi konflikt me asnjë, e ka pasur thjesht të njohur Leonardin, thjesht të njohur,s’mund t’i thuash shok, unë si Gëzim s’e kam njohur fare Leonardin. S’flas dot se nuk di gjë tokën. Nuk e di çfarë ka pasur, janë llafe se nuk kemi gjë konkrete, llafe Sarande.
Prej 27 ditësh, dy 46-vjeçarët nga Saranda Fatmir Sulovari dhe Leonard Theodhori janë zhdukur pa lënë asnjë gjurmë.
Familjarët e lidhin ngjarjen me shitjen e një toke, ndërsa policia beson se ngjarja lidhet me konfliktet për trafikun e drogës jo vetëm nisur nga precedentët e të zhdukurve por dhe operacionet antikanabis në Greqi, ku ka pasur të arestuar edhe shqiptarë.
Policia e Sarandës nëpërmjet hetimeve por edhe kamerave të sigurisë ka kontrolluar banesa e biznese që dyshohet se implikohen në ngjarje. E tillë ishte dhe një banesë në fshatin Nivicë të Himarës që është në emrin e një biznesmeni që merret me shitje apo dhënie me qira të pasurive të paluajtshme. Policia ka dyshime se banesa e 28 vjeçarit Sofokli Baxheri është përdorur nga autorët e dyshuar të zhdukjes së Fatmir Sulovarit dhe Leonard Theodhorit, por ky i fundit nuk jep asnjë të dhënë në lidhje me faktin se kush e ka përdorur banesën gjatë muajit prill. Për këtë arsye, policia e Sarandës e vuri në pranga për deklarata të rreme dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.
Në oborrin e banesës në Nivicë policia e Sarandës gjeti një automjet “Benz” që dyshohet se është përdorur për të transportuar të zhdukurit, gjurmët e fundit të të cilëve të çojnë në fshatin Vrinë. Pavarësisht kësaj policia ende nuk e ka një përgjigje zyrtare dhe përfundimtare për fatin e tyre.
Fqinjët e familjes Bazheri shprehen se ai shkonte shpesh në Nivicë.
Nga provat material të gjetura policia e Sarandës ka krijuar bindjen se banesa e Sofokli Baxherit ka shërbyer si strehë e një grupi kriminal që jo vetëm fshihen pas rrëmbimit të dy personave, por edhe pas një ngjarje tjetër penale në Sarandë, eksplozivit ndaj banesës së ndërtuesit Afëz Kulla, ngjarje kjo ende pa autor.
Top Channel