Gjermania po mendon shqyrtimin e të drejtës për azil jashtë BE-së.
Rritja drastike e numrit të azilkërkuesve në vend, me 900 mijë kërkesa të shënuara vetëm në tre muajt e parë të vitit, ka krijuar një situatë krize në qytete që nuk kanë më mundësinë të strehojnë emigrantët e po përballen me mungesë fondesh. Për këtë arsye, tani po shihet edhe në Gjermani ideja e kryerjes së një procedure të verifikimit të të drejtave për azil para hyrjes në BE, në bazë të secilës, shumica e atyre që nuk kanë perspektivë për azil politik në Gjermani-qytetarë të Pakistanit, Tunizisë, Algjerisë etj, do të ndaheshin edhe para se të mbërrinin në tokën e bllokut europian.
Në varësi të rezultatit të kontrolleve, kandidatët do të lejohen në tokën e BE-së, ndërsa që nuk e përfitojnë këtë të drejtë, do të kthehen në vendet e tyre të origjinës. Kjo është diskutuar për një kohë të gjatë në Danimarkë, tani këtë procedurë po e përgatit edhe Britania e Madhe.
Gjermania, siç shkruan e përditshmja “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, po punon për të mundësuar këtë proces. “Aktualisht jemi duke shqyrtuar mundësinë e kontrollit të statusit të azilkërkuesve edhe në vendet e treta”, thotë ministrja e Brendshme, Nancy Faeser (Partia Socialdemokrate – SPD).
Ajo tha se aktualisht ka “negociata intensive” për lidhjen e marrëveshjeve ndërshtetërore që do të lejonin këtë lloj procedure. Për shkak të rritjes së madhe të numrit të refugjatëve jo vetëm nga Ukraina, por edhe nga Siria, Afganistani, Turqia dhe vendet afrikane, qeveria federale gjermane është nën presion në rritje që nga fillimi i vitit. Përfaqësuesit e opozitës kristian-demokrate i kërkojnë ministres Faeser dhe qeverisë federale të vendosin një tavan kufiri të numrit të refugjatëve, por ajo ka refuzuar vazhdimisht.
Top Channel