“Mund të bëhet më keq”/ Gratë para zgjedhjeve në Turqi

01/05/2023 16:39

Turqia ka një rrugë të gjatë përpara deri në barazinë e vërtetë gjinore. Por në varësi të rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme në Turqi, situata e grave mund të keqësohet më tej.

“Në këtë vend gratë mbahen nën thundër”, thotë e zemëruar 20 vjeçarja Defne. Të drejtat e grave turke shkelen gjithnjë e më shpesh. Si fillim Turqia hoqi dorë nga Konventa e Stambollit për mbrojtjen e grave nga dhuna. Por tani zhvillimet në drejtim të situatës së gruas mund të keqësohen më tej, është e mendimit, politikanja me orientim të majtë, Menekse Kizildere duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme. Partitë e djathta që mbështesin Erdoganin në këto zgjedhje duan të shfuqizojnë ligjin 6284, që konsiderohet si një nga ligjet më të rëndësishme që kanë mbetur për mbrojtjen e gruas nga dhuna. “Ky është premtimi i tyre zgjedhor të shfuqizojnë këtë ligj, kaq larg shkojnë ata”, thotë Kizildere. I alarmuar shprehet edhe ish-kreu i partisë, HDP Selahattin Demirtas, i cili vuajti edhe një arrestim nga autoritetet turke. Ai e emërton aleancën zgjedhore të Erdoganit me partinë që konsiderohet si islamiste, Hüda si “aleancë të talibanëve”, dhe pyet: “Do t’i ngjajë Republika e Turqisë në shekullin e saj të dytë një Afganistani apo një Zvicre?”

Turqia është larg Zvicrës

Por nga Zvicra dhe të drejtat e liritë e këtij vendi, jemi shumë larg, thotë Asllani që voton për herë të parë. Erdogan nuk i toleron të drejtat e pakicave dhe grave. Se si i shohin liritë e të drejtat në Turqi Erdogani dhe aleatët e tij e bën të qartë, ministri i i tij i Brendshëm Soylu, i cili kriminalizon skenën e LGBT, i paraqet anëtarët e saj gati si terroristë, ndalon demonstrata pikërisht Ditën e Gruas, apo lejon në mënyrë joproporcionale dhunën në protesta. Liritë janë sidomos për burrat , thotë 60 vjeçarja Semran. Gratë, thënë ndryshe janë gjithmonë në radhën e dytë. “Ne nuk jemi askund të barabarta as në shoqëri, as në shtëpi dhe as në rrugë. Ka një dominancë burrash.”

Një studim i fundit i fondacionit socialdemokrat, SODEV me mbështetjen e fondacionit gjerman, Friedrich Ebert e konfirmon këtë. “Rezultati kryesor ishte, se shumica e grave nuk ndjehen mirë në vendin e tyre“, thotë drejtuesja e studimit, Yasemin Ahi për studion e ARD-së në Stamboll. 60% e grave të anketuara thonë, se ato nuk janë të lumtura si femra në Turqi. Kurse më shumë se 80% e grave nuk ndjehen të sigurta natën në rrugë. Si problem të rëndësishëm ato përmendin ngacmimet seksuale dhe dhunën kundër grave. Por shpesh autorët e këtyre veprave penale marrin dënime të buta, ose nuk dënohen aspak. Për Yasemin Ahi ky është dështim i politikës. “Mosndëshkueshmëria e dhunuesve është një çështje që mund të rregullohet vetëm politikisht.”

Gratë mund të kthehen në rrezik për Erdoganin në zgjedhje

Por partitë turke nuk ndërmarrin shumë në këtë drejtim. As aleanca opozitare nuk e ka në program kthimin në Konventën e Stambollit, kjo për shkak të forcave konservatore brenda aleancës. Sipas ekspertëve mund të jenë megjithatë gratë që mund ta ndëshkojnë me votë Erdoganin. Yasemin Ahi thotë se “në vitin 2018 ishin 38,3 e grave votuese që ia dhanë votën Erdoganit, kurse nëse do të votohej tani vetëm 26% e tyre do të votonin për Erdoganin”. Gratë janë gjysma e shoqërisë turke. Vota e tyre mund të jetë vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme në Turqi. Dhe pritshmëritë e tyre ndaj politikës janë rritur në vitet e fundit, thotë Ahi. Sidoqoftë nën thundër ato nuk duan të qëndrojnë më./ DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA