Rusia lëshoi 18 raketa mbi kryeqytetin e Ukrainës të hënën në mëngjes. Ukraina thotë se interceptoi 15 prej tyre ndërsa nuk raportohet të ketë patur viktima.
Ndërkohë, një kundërofensivë e pritur gjerësisht nga Ukraina në pranverë, do të ndodhë pa avionët luftarakë amerikanë. Presidenti i Ukrainës, tha se pritja për t’u trajnuar me avionët e avancuar mund të sinjalizojë një afat kohor për forcat ruse në terren.
Forcat ukrainase po stërviten diku në rajonin juglindor të Zaporizhias. Ukraina pritet të nisë një kundërofensivë në pranverë, pas ofensivës së dimërit të Rusisë që rezultoi në avancime të vogla, pavarësisht luftimeve të përgjakshme.
Për muaj me radhë, Kievi ka kërkuar armë të avancuara nga Perëndimi, së fundmi avionë luftarakë F-16, apo avionë të ngjashëm. Deri më sot, kjo nuk ka ndodhur. Presidenti i Ukrainës tha se nuk ka mbetur më kohë dhe se kundërofensiva do të ndodhë me, ose pa avionët luftarakë të avancuar.
“Të them të drejtën, do të na ndihmonin shumë. Por gjithashtu e kuptojmë se nuk mund ta zvarrisim kundërsulmin, prandaj do të fillojmë përpara se të marrim avionët F-16, apo modele të tjera. Ne do të fillojmë dhe do të ecim përpara me planet, ndërsa njëkohësisht, mendoj se marrja e mjeteve luftarake perëndimore është shumë e rëndësishme”.
Presidenti Zelenskyy foli vetëm një ditë pasi punonjësit e emergjencës dhe banorët shpejtuan për të nxjerrë të mbijetuarit e sulmeve me raketa në një ndërtesë banimi nëntëkatëshe. Forcat Ajrore të Ukrainës thonë se rrëzuan 21 nga 23 raketat e lëshuara nga avioni rus, por ato që nuk u asgjësuan, vranë të paktën 23 njerëz.
Në një video të shpërndarë nga nga zyra e shtypit, presidenti Zelenskyy iu referua Rusisë si një shtet terrorist duke thënë në mënyrë specifike, “Nuk janë vetëm ata që japin urdhra… Ju jeni të gjithë terroristë dhe vrasës dhe duhet të ndëshkoheni”.
Ndërkohë, në rajonin e Donetskut, një sulm rus me dron goditi një objektiv tjetër civil.
Një grua 31-vjeçare dhe vajza e saj 2-vjeçare u vranë në qytetin lindor Dnipro.
Në Krime, një zjarr masiv në një fabrikë nafte, një shenjë e mundshme e asaj që do të vijë, me ose pa avionët luftarakë perëndimorë. Zyrtari i emëruar nga Rusia në këtë rajon fajësoi për zjarrin një sulm me dron dhe nuk njoftoi për viktima. Sipas agjencisë Associated Press, zyrtari nuk e sqaroi origjinën e dronit, por dronët ukrainas kanë shënjestruar gjithnjë e më shumë Krimenë në javët e fundit.
Nëse dhe kur Ukraina të nisë kundërofensivën e saj, ajo do të përballet me pozicionet e fortifikuara ruse në muajt në vazhdim, të mbushura me mina tokësore, tanke dhe trupa.
Top Channel