Gjermania ka prezantuar ditën e sotme një biletë të re të vetme për transportin urban me tarifë fikse në vlerë të 49 eurove.
Përmes një artikulli, media gjermane zdf shkruan se “Deutschland-Ticket” ofron lëvizje të pakufizuar në sistemin gjerman të autobusëve dhe metrosë, si dhe në trenat lokalë dhe rajonalë. Shitja e biletës ka filluar nga 3 prilli dhe të vetmet udhëtime që nuk përfshihen, janë linjat e trenave me shpejtësi të lartë në distanca të gjata.
Sipas Shoqatës së Kompanive Gjermane të Transportit, që nga 25 prilli, më shumë se 3 milionë njerëz kanë zgjedhur tashmë një biletë në Gjermani dhe industria pret deri në 6 milionë abonentë të rinj në javët e ardhshme.Përveç kësaj, ka të ngjarë të ketë 11 milionë njerëz të tjerë që do të kalojnë nga abonimi i tyre aktual në një biletë më të lirë në Gjermani.
“Deutschland-Ticket”, e cila bazohet në ecurinë e biletës 9 euro, ka për qëllim t’iu lehtësojë jetesën konsumatorëve në një kohë kur po përballemi me rritje të inflacionit dhe të inkurajojë njerëzit të kalojnë në transportin publik me qëllim të mbrojtjen e mjedisit.
Ministri i Transportit, Volker Ëiesing tha se kjo është reforma më e madhe e transportit publik në historinë e Gjermanisë.Sakaq, Shoqata e Kompanive Gjermane të Transportit tha se tashmë janë shitur rreth 750 mijë bileta.
Edhe vende të tjera evropiane po përpiqen të gjejnë mënyra për të bindur njerëzit që të përdorin më shumë transportin publik dhe më pak veturat. Mes tyre janë Spanja, Franca dhe Austria.
Në Austri, me një çmim prej 1000 euro në vit për të ashtuquajturën kartë klimatike, mund të përdorni transportin urban në të gjithë vendin.
Suksesi i kësaj nisme dërgoi në një bum të vërtetë në përdorimin e transportit hekurudhor, njoftoi operatori austriak OBB.
A ka rregulla për të marrë me vete njerëz të tjerë, biçikleta apo qen?
Nuk ka rregulla për të marrë me vete, për shembull për anëtarët e familjes, në mbrëmje ose në fundjavë. Kjo nuk vlen për fëmijët deri në moshën gjashtë vjeç, të cilët zakonisht mund të merren me vete pa pagesë.
Megjithatë, përjashtimet rajonale janë të mundshme. Verkehrsverbund Berlin-Brandenburg, për shembull, ju lejon të merrni një qen me vete në zonën e tij të tarifave.
Mund të bëhet konfuze kur merrni biçikleta me vete. Këtu shoqatat përkatëse rajonale të transportit mund të vendosin vetë nëse nevojitet një biletë shtesë. Nuk ka asnjë dispozitë për një rregullore uniforme.
A do të mbetet çmimi përgjithmonë në 49 euro?
Me siguri jo. Kompanitë e transportit supozojnë se do të ketë rritje të çmimeve në periudhën afatmesme për shkak të rritjes së kostove për personelin dhe materialin . Po ashtu ligjvënësi thekson se 49 euro janë “çmim hyrje”.
Në veçanti, në rast se fondet e premtuara kompanive të transportit për kompensimin e humbjeve për shkak të biletës nuk janë të mjaftueshme, ofrohet mundësia e rritjes së çmimit në të ardhmen. Prandaj politikanët preferojnë ta quajnë biletën “Deutschlandticket” në vend të biletës 49 euro.
Top Channel