Amerikanët: Shtypi po thellon polarizimin në vend

01/05/2023 17:56

Kur bëhet fjalë për ndikimin që mediat kanë tek demokracia dhe polarizimi politik në vend, amerikanët kanë më shumë gjasa të thonë se ato, më shumë sesa po ndihmojnë, po luajnë një rol të dëmshëm.

Gati tre të katërtat e amerikanëve në moshë të rritur (18 vjeç e sipër) thonë se shtypi po rrit polarizimin politik në Shtetet e Bashkuara dhe pak më pak se gjysma, thonë se kanë pak, ose aspak besim tek aftësia e medias për të raportuar lajmet në mënyrë të drejtë dhe të saktë.

Këto janë gjetjet e një sondazhi të ri të kryer nga agjencia e lajmeve ‘The Associated Press’, Qendra ‘NORC’ për Kërkime mbi Çështje Publike si dhe organizata ‘Robert F. Kennedy Human Rights’, sondazh që publikohet dy ditë para 3 Majit, Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit.

Anketimi tregon se amerikanët kanë shqetësime të konsiderueshme lidhur me keqinformimin dhe rolin që luajnë mediat kryesore, së bashku me politikanët dhe platformat e medias sociale, në përhapjen e tij. Po kështu shumë amerikanë janë të shqetësuar për kërcënimet në rritje ndaj sigurisë së gazetarëve.

“Lajmet shqetësojnë njerëzit“, thotë 53-vjeçarja Barbara Jordan, një demokrate nga qyteti Hutçinson i Kansasit. Zonja Jordan thotë se në vend që të ndjekë atë që ofrohet në televizor, bën vetë kërkime në internet. “I besoj internetit më shumë sesa televizorit“, shton ajo.

Mungesa e besimit mund të shtyjë shumë amerikanë të refuzojnë mediat kryesore që ofrojnë lajme, duke u përqendruar tek mediat sociale dhe faqet jo të besueshme të internetit, që përhapin pretendime të rreme, duke çuar në polarizim të mëtejshëm.

Një shumicë e vogël e amerikanëve thonë se kanë njëfarë besimi tek aftësia e mediave për një raportim të plotë e të saktë dhe vetëm 16% thonë se janë shumë të sigurt që ato mund ta bëjnë një gjë të tillë. Dyzet e pesë për qind e amerikanëve thonë se kanë pak ose aspak besim.

Sondazhi zbulon marrëdhënien e ndërlikuara që shumë amerikanë kanë me median kryesore. Dhe pse besimi i përgjithshëm tek media është i ulët, shumica e të anketuarve thonë se media po ia del të paktën të mbulojë në një farë mënyre mirë çështjet për të cilat ata interesohen.

40% e amerikanëve thonë se shtypi po luan më shumë një rol dëmtues ndaj demokracisë, rreth 20% thonë se shtypi po e mbron atë. 40% të tjerë nuk pajtohen me asnjë nga qëndrimet.

Mediat me qasje partiake dhe platformat e mediave sociale, e kanë nxitur problemin, duke bërë që shumë amerikanë të shohin njëri-tjetrin si armiq, thotë Joe Salegna, një republikan që jeton në Long Ajlënd të Nju Jorkut.

“Mendoj se ato po e ndajnë këtë vend”, thotë për agjencinë AP, 50 vjeçari Salegna. “Që nga zgjedhjet e 2016, situata është përkeqësuar shumë“, shton ai.

Republikanët kanë një qëndrim më pak të favorshëm ndaj mediave televizive krahasuar me demokratët. 61% e republikanëve thonë se mediat e po dëmtojnë demokracinë, krahasuar me 23% të demokratëve dhe 36% të të pavarurve që nuk anojnë nga asnjëra palë. Shumica e amerikanëve, përgjatë gjithë spektrit politik thonë se media nxit ndarjen politike, dhe pjesa më e madhe e atyre që besojnë një gjë të tillë janë republikanë.

Sondazhi tregon se një numër i madh republikanësh mendojnë se lajmet ndikohen fuqishëm nga qeveria dhe pikëpamjet politike të gazetarëve.

Mbulimi i zgjedhjeve të fundit presidenciale, pandemia e koronavirusit, protestat kundër vrasjeve nga policia të anëtarëve të komunitetit afrikano-amerikan si dhe ngjarje të tjera, janë arsye për zonjën Janis Fort për të mos iu besuar mediave. Një stacion televiziv mbulon një ngjarje që të tjerët e injorojnë, thotë ajo, duke i bërë shikuesit të mos jenë të bindur se kujt duhet t’i besojnë.

“Të gjithë tregojnë një ngjarje ndryshe. Media nuk bën gjë tjetër veçse ngjall frikë“, thotë zonja Fort, një republikane 71-vjeçare në pension, që jeton në Navarre të Floridës. “Unë dhe shumica e njerëzve që njoh, ndihemi sikur jemi plotësisht në errësirë”.

Hulumtimet kanë treguar se fragmentimi i ekosistemit mediatik, i nxitur kryesisht nga interneti, ka kontribuar në polarizim. Ekspertët thonë se përçarjet e rritura politike në Shtetet e Bashkuara kanë një sërë shkaqesh.

Ata përmendin si shembull, praktikat e ndarjeve administrative në zona zgjedhore, që i japin avantazh një partie në kurriz të një tjetre, duke reduktuar konkurrencën politike, ose politikanët që ngjallin frikë dhe mosbesim, por fragmentimi i medias dhe keqinfomimi, kanë gjithashtu një ndikim të qartë.

“Ne duhet të shqetësohemi për shëndetin e demokracisë”, thotë Joshua Tucker, një ekspert për politikën në Universitetin e Nju Jorkut, i cili studion çështjet paragjykimit në favor të një kauze të caktuar.

Shqetësimi për kërcënimin që paraqet keqinformimi bashkon amerikanët e të dyja krahëve. Rreth 9 në 10 amerikanë në moshë të rritur thonë se keqinformimi është një problem. Një e treta e tyre thonë se çdo ditë dëgjojnë pretendime të rreme nga politikanët ose tituj të çoritentues gazetash.

“Ka ende gazetari të mirë, thjesht interneti ka bërë atë që çdokush të mund të sillet si një i tillë“, thotë Chris Nettell nga Hickory Creek, i Teksasit, i cili thotë se anon nga demokratët. “Disa media njoftojnë vetëm mbi një segment të caktuar të shoqërisë, dhe ata që i ndjekin këto lajme, besojnë se edhe të gjithë të tjerët mendojnë të njëjtën gjë“.

Për sa i takon rolit të medias sociale në keqinformim, gati dy të tretat e të anketuarve thonë se kur shohin një lajm në to, ata presin që ai të jetë i pasaktë. Për sa i takon atyre që thonë se mbështeten rregullisht tek mediat sociale për t’u informuar, gjasat ishin që ata t’u besonin atyre më shumë sesa burimeve të tjera të informacionit.

Në përgjithësi, rreth 60% e amerikanëve thonë se mediat kanë përgjegjësinë kryesore për përhapjen e informacioneve të rreme dhe të pasakta, dhe një përqindje e ngjashme mendojnë se po mediat, kanë përgjegjësi të madhe për trajtimin e kësaj problematike. Shumica mendojnë gjithashtu se për përhapjen e keqinformatave dhe ndalimin e tyre, përgjegjësi kanë edhe kompanitë e mediave sociale e politikanët.

“Shumë njerëz i marrin informacionet nga mediat sociale dhe njerëzit besojnë atë që duan të besojnë“, thotë Araceli Cervantes, një 39-vjeçare nga Çikago, nënë e katër fëmijëve që thotë se ka bindje republikane.

Kur bëhet fjalë për mbrojtjen e lirisë së shtypit, 44% e të anketuarve thonë se qeveria amerikane po bën një punë të mirë, më shumë se 24% thonë se ajo po bën një punë të keqe. Megjithatë shumica e amerikanëve janë disi të shqetësuar, kur bëhet fjalë për sigurinë e gazetarëve. Afërsisht një e treta thonë se janë shumë ose jashtëzakonisht të shqetësuar mbi sulmet ndaj shtypit./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA