Tornado është një prej 30 pëllumbave të Soni Arapit.
Ai thotë se shpendi është më i veçanti dhe i ka vënë këtë emër për shkak se është më energjiku.
Në shtëpinë e tij në fshatin Ngurëz të Lushnjës, çdo ditë pasi mbaron punën, së bashku me dy vajzat, Soni merret 2 deri në 3 orë për të stërvitur pëllumbin. Për të dhe vajzat e vogla Tornado është bërë si një pjestar i familjes.
“Është i dashur dhe i zgjuar”, shprehet Soni, “Madje ka raste që bëhet edhe xheloz me vajzat kur duan të më përqafojnë dhe mundohet t’i largojë duke i goditur lehtë me puplat e krahëve.”
Për Sonin zogu ka aftësi të veçanta pasi kur është në udhëtim me automjet ai arrin ta ndjekë për kilometra të tëra dhe të qëndrojë mbi krahun e tij në qytet.
“Tornado arrin të dallojë pronarin e vet dhe të ulet në duart e tij. Janë të shumtë njërzit që merren me trajnimin e kafshëve dhe të shpendëve por të mësosh një pëllumb është tepër e vështirë pasi do shumë punë”, tha Soni.
Top Channel