Qeveria e Kosovës e ka quajtur vendim të drejtë nismën e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut për hapjen e plotë për qarkullim të urës mbi lumin Ibër.
“… Vendimi për heqjen e pengesave të tilla është veprim i drejtë dhe i duhur. Kosova është e gjithë qytetarëve të saj dhe ata gëzojnë të drejtën të lëvizin lirshëm në gjithë territorin e saj”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.
Deri më tani nuk është bërë e ditur se si dhe kur mund të zbatohet ky vendim.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës theksoi se ky vendim “shkel marrëveshjet e Brukselit dhe kërcënon drejtpërdrejt paqen”.
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, reagoi duke thënë se se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dëshiron “të largojë serbët” nga Kosova, duke shtuar se udhëheqësi kosovar “dëshiron konflikte me çdo kusht”.
Në anën tjetër, Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi theksoi se tani “nuk është momenti i duhur” për hapjen e urës mbi Ibër.
“Përderisa ne po flasim, në Mitrovicë ka një kërkesë për hapjen e urës dhe është e qartë se nuk është atmosfera për këtë”, tha ai duke kërkuar që palët të respektojnë marrëveshjen e Ohrit dhe “vijat e kuqe”.
Ura mbi lumin Ibër apo “rivitalizimi i urës” ka qenë temë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Palët kishin rënë dakord që ura të ishte e hapur për qarkullim. Por, në praktikë kjo nuk ndodhi kurrë dhe vetëm njëra anë u hap për këmbësorët.
Pas luftës së fundit në Kosovë, ura mbi lumin Ibër e ndau Mitrovicën në dy pjesë, në atë jugore me shumicë shqiptare, dhe në pjesë veriore, të banuar me shumicë serbe. Sot, ato janë dy komuna të veçanta.
Top Channel