Papa Françesku ka falënderuar hungarezët për pritjen e refugjatëve ukrainas gjatë luftës dhe u ka kërkuar atyre që të ndihmojnë këdo që ka nevojë.
Në ditën e dytë të vizitës në Hungari, Papa takoi refugjatët në një kishë në Budapest dhe lavdëroi Kishën Katolike të Hungarisë për ofrimin e ndihmës për njerëzit që ikin nga lufta.
Ati i Shenjtë i kërkoi gjithashtu Evropës që të gjejë sërish vlerat e saj themeluese të unitetit paqësor, teksa denoncoi sjelljen agresive të Rusisë ndaj Ukrainës fqinje. Papa dëgjoi historinë e anëtarëve të një familjeje ukrainase që ikën nga pushtimi rus, duke udhëtuar për ditë të tëra për të arritur në Hungari pasi raketat ranë në qytetin e tyre të lindjes, Dnipro, në maj të vitit të kaluar.
Oleg Yakovlev tha se vendosi të sillte gruan dhe pesë fëmijët e tij në Hungari, sepse ai kishte punuar në vend si kuzhinier vite më parë dhe kujtonte se ishte i mirëpritur.
“Për ne dhe fëmijët tanë, Hungaria ka qenë fillimi i një jete të re, i një mundësie të re. Këtu na mirëpritën dhe gjetëm një shtëpi të re”- i tha zoti Yakovlev Papës.
Rreth 2.5 milionë ukrainas që ikin nga lufta në vendin e tyre kanë gjetur dyert e hapura në Hungari. Rreth 35,000 nga refugjatët mbeten në Hungari dhe janë regjistruar për mbrojtje të përkohshme atje, sipas OKB-së.
Top Channel