12 të vrarë shkaktoi vala e re e bombardimeve ruse mbi pjesë të ndryshme të Ukrainës, pa kursyer as kryeqytetin Kiev.
Një grua e re dhe vajza e saj tre vjeçare janë në mesin e viktimave të bombave ruse në qytetin e Dnipros. Shpërthime të fuqishme pati edhe në qytetet Kremenchuk dhe Poltava, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se 10 ndërtesa banimi u dëmtuan në Uman, ndërsa një bllok i tërë apartametesh atje u shkatërria krejtësisht. Sulmet e fundit, sipas tij, dëshmuan qartë se kundër Moskës duhen ndërmarrë veprime të mëtejshme ndërkombëtare.
“E keqja mund të ndalet me armë –dhe luftëtarët tanë po e bëjnë këtë. Por mund të ndalet dhe me sanksione. Sanksionet globale duhet të shtohen”, tha Zelensky.
Kreu i administratës ushtarake të Kievit tha se kryeqyteti u gjend nën breshërinë e raketave ruse për të parën herë në 51 ditë. Atje megjithatë, nuk pati raporte për viktima. Komanda e forcave ajrore ukrainase më pas raportoi se sulmet ruse ndaj qyteteve ukrainase janë kryer me avionët luftarakë strategjikë të llojit Tu-195, që janë nisur nga rajoni i detit Kaspik.
Mbrojtja ukrainase ka shkatërruar 21 nga 23 raketat e lëshuara dhe dy dronë në rajonet qendrore, lindore dhe jugore të vendit. Që nga nisja e pushtimit shkurtin e vitit të kaluar, Rusia ka mohuar se shënjestron civilët, pavarësisht provave që dëshmojnë të kundërtën.
Top Channel