Foto/ Raketat goditën ndërtesat ku ndodheshin civilët, pasojat e sulmeve në Ukrainë

28/04/2023 21:53

Ukraina është përballur me një valë sulmesh, të cilat kanë shkaktuar të paktën 25 viktima, ndërsa ende vijojnë kërkimet në rrënoja.

Raketat ruse kanë goditur një bllok ndërtesash, përfshirë edhe pallate. Menjëherë pas alarmit, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit, të cilët ndodhen atje prej më shumë se 10 orësh.

Zonat më të goditura janë në pjesën qëndrore të Ukrainës, kryesisht në Uman dhe Dnipro.

Zyrtarët raportuan se një breshëri e sulmeve ruse gjatë natës vrau dhjetëra persona, pasi Kievi njoftoi se përgatitjet për kundërsulmin e shumëpritur po përfundonin me forcat e armatosura që ishin gati për të vepruar.

Një grua e re dhe vajza e saj tre vjeçare janë në mesin e viktimave të bombave ruse në qytetin e Dnipros.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se 10 ndërtesa banimi u dëmtuan në Uman, ndërsa një bllok i tërë apartamentesh u shkatërrua krejtësisht.

Sulmet e fundit, sipas tij, dëshmuan qartë se kundër Moskës duhen ndërmarrë veprime të mëtejshme ndërkombëtare.

Mbrojtja ukrainase ka shkatërruar 21 nga 23 raketat e lëshuara dhe dy dronë në rajonet qendrore, lindore dhe jugore të vendit.

Që nga nisja e pushtimit shkurtin e vitit të kaluar, Rusia ka mohuar se shënjestron civilët, pavarësisht provave që kanë dëshmuar të kundërtën.

 

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA