SHBA, Gjykata e Apelit i hap rrugën dëshmisë së ish-nënpresidentit Pence për 6 janarin

27/04/2023 16:02

Një gjykatë federale apeli i hapi rrugën dëshmisë së ish-nënpresidentit, Mike Pence para një jurie të madhe që po heton përpjekjet për përmbysjen e rezultatit te zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Gjykata hodhi poshtë kërkesën e avokatëve të ish-presidentit Donald Trump për të bllokuar dëshminë.

Nuk është ende e qartë se kur do të paraqitet zoti Pence para jurisë së madhe, e cila prej muajsh po heton ngjarjet, që i paraprinë sulmit të 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara dhe përpjekjet e zotit Trump dhe aleatëve të tij për të përmbysur rezultatin.

Por dëshmia e zotit Pence, që vjen ndërsa ai konsideron mundësinë e kandidimit për garën presidenciale të vitit 2024-ës, do të ishte një moment kyç në hetim, duke u dhënë prokurorëve fakte nga një prej zyrtarëve më të lartë, të përfshirë drejtpërdrejtë në zhvillimet e asaj dite.

Urdhri i trupit gjykues prej tre anëtarësh i Gjykatës së Apelit të Uashingtonit, nuk është bërë publik dhe asnjëra nga palët nuk përmendet me emër në procesverbalet gjyqësore të publikuara në internet.

Por apelimi për çështjen u bë vetëm disa ditë pasi një gjykatës i një gjykate më të ulët kishte vendosur që zoti Pence të dëshmonte, me gjithë kundërshtimet nga ekipi i zotit Trump.

Një avokat i zotit Pence dhe një zëdhënës i zotit Trump nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment dhe një zëdhënës i prokurorit të posaçëm të Departamentit të Drejtësisë Jack Smith, që drejton hetimet, refuzoi të komentonte.

Vendimi i Apelit u mor nga gjyqtari Gregory Katsas, i emëruar nga ish-presidenti Trump, dhe gjyqtarët Patricia Millett dhe Gregory Wilkins, të dy të emëruar nga ish-presidenti Barack Obama.

Ish-nënpresidenti Pence u thirr për të dëshmuar në fillim të këtij viti, por avokatët e zotit Trump kundërshtuan, duke përdorur si argument privilegjin ekzekutiv.

Zoti Pence ka folur gjerësisht lidhur me presionin nga ish-presidenti Trump për të refuzuar fitoren e zotit Biden në ditët para 6 janarit.

Si nënpresident, zoti Pence, kishte rolin ceremonial të drejtonte seancën e numërimit të votave të Kolegjit Zgjedhor nga Kongresi, por nuk kishte kompetencë të ushtronte ndikim tek rezultatet, pavarësisht pretendimit të zotit Trump për të kundërtën.

Ish-nënpresidenti ka thënë se zoti Trump vuri në rrezik familjen e tij dhe të gjithë të tjerët që ishin në Kapitol atë ditë dhe se historia do ta mbajë ish presidentin “përgjegjës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA