Nëse je një i ri i moshës 15-29 vjeç, që prej një periudhe katër mujore je i papunë apo pa një program arsimi, do ju ofrohen kurse profesionale e më pas vende pune që do të mbulohen nga buxheti i shtetit.
Ky është vendimi më i fundit i miratuar nga Këshilli i ministrave këtë të enjte.
“Programi do t’i referohet kësaj grupmoshe e cila ka një papunësi më të lartë se papunësia e përgjithshme e vendit dhe do t’i drejtohet duke i ofruar çdo të riu, i cili ka të paktën 4 muaj pa një punë apo një program arsimimi”, tha ministrja Delina Ibrahimaj.
Ky vendim nxit punësimin e të rinjve në biznese, e është ndërmarrë si masë frenuese për largimin e të rinjve. Pas përfundimit të programeve profesionale, kësaj grupmoshe i mundësohet një praktikë 6 mujore pranë një biznesi me pagesë të ndarë në dy faza.
“Ky vend pune do të paguhet për 3 muajt e parë me 80% të pagës minimale me një pagë të reduktuar dhe për 3 muajt e dytë, do të paguhet me 100% të pagës minimale. Të gjitha bizneset që do të punësojnë një të ri të moshës 15-29 vjeç që janë pjesë e këtij programi, do të paguhet 20% e kohës e personit që do të merret me trajnimin e të rinjve dhe të rinjve do t’u paguhet edhe transporti, deri në masën 1600 lekë nëse banojnë më shumë se 2 km larg nga vendi i punës apo vendi i formimit profesional”,u shpreh Ibrahimaj.
Qeveria ka vendosur një rregull që për çdo kompani me 50 punonjës, të përfshihet shtesë edhe një nga të rinjtë që i përket kësaj kategorie, e cila përbën rreth 27.8% të të gjithë të rinjve shqiptarë Në rast moszbatimi, kompanitë do të derdhin një kontribut në vlerën e pagës minimale në buxhetin e shtetit. Më konkretisht, paratë do të mblidhen nëpërmjet krijimit të fondit social të punësimit.
Top Channel