Shërbimet sekrete ukrainase tentuan të dielën të vrisnin presidentin rus Vladimir Putin me një dron të mbushur me eksplozivë.
Përpjekja e tyre në fund dështoi, por ajo u mbajt e fshehtë nga autoritetet ruse, shkruan e përditshmja e njohur gjermane Bild, e cila jep dhe detaje. Pasditen e 23 prillit një dron UJ-22 me një rreze veprimi deri në 800 km dhe që mbante 30 pako eksplozivi C4 me një peshë totale prej 17 kg dyshohet se u lëshua nga Ukraina.
Shënjestra duhet të ishte parku industrial i Rudnevo, afër Moskës, që thuhej se do të vizitohej nga shefi i Kremlinit. Megjithatë, droni u rrëzua 20 km përpara objektivit. Nuk dihet nëse vizita e Putinit ndodhi vërtet. Bild thotë se pavarësisht fshehtësisë së autoriteteve, në mediat ruse pati raportime për përplasjen e një droni UJ-22 në lindje të Moskës.
Bild citon aktivistin ukrainas Yuri Romanenko, “i cili thuhet se ka lidhje të ngushta me shërbimet sekrete të Kievit” që shkroi se “javën e kaluar agjentët tanë të shërbimit sekret morën informacion në lidhje me udhëtimin e Putinit në parkun industrial Rudnevo. Si rezultat, droni ynë kamikaz u ngrit, fluturoi nëpër të gjitha mbrojtjet ajrore të Federatës Ruse dhe u rrëzua jo shumë larg parkut industrial.
Rusia sot ndërkohë sulmoi qytetin jugor ukrainas të Mikolajivit me raketa tokë-ajër gjatë natës, duke lënë të vdekur të paktën një civil dhe plagosur disa të tjerë. Mësymja vjen në kohën kur beteja për marrjen e kontrollit të Bahmutit po vazhdon.
Bahmuti, që gjendet në lindje të Ukrainës, ka qenë epiqendra e ofensivës së trupave ruse. Forcat e Moskës mësohet ta kenë shënjestruar Mikolajivin me katër raketa të llojit S-300. Të paktën një ndërtesë e lartë dhe dy shtëpi private u goditën nga sulmet.
Top Channel