“Nuk e duam punën, ne pranojmë të punojmë 12 orë punë në Greqi apo Itali, por jo të punojmë 4-5 orë në Shqipëri. Sikur të 80% e atij impenjimi të vihej në vendin ku ti ke lindur, ky vend sot do të ishte shumë shumë herë më i mirë”, u shpreh ajo.
Si shumë fshatra të tjerë në Shqipëri edhe fshati Rrushkull në Rrëshen nuk ka investime. Kjo është gërmadha e shkollës së dikurshme të Rrushkullit, që tregon se dikur ky fshat ka qenë mjaft i populluar. Prej disa vitesh ajo ka kyçur dyert dhe fëmijët e fshatit shkojë në qytetin e Rrëshenit.
Kjo është qendra shëndetësore. Edhe ajo është jofunksionale, ndërsa rrugën e fshatit e mirëmban vetë familja Tushaj së bashku me dy tre familje të tjera të zonës. Me gjithë vendimin e marrë Gerta pranon se jetesa në fshat është sfiduese. Sipas saj e kemi Shqipërinë në pëllëmbë të dorës, por i mungojnë arteriet e gjakut: që janë rrugët.
“Unë nuk i them dot dikujt hajde e jeto në fshat. Nuk të them dot as ty, as komshisë time që e ka shtëpinë aty por jeton në Itali e ti them merre familjen e hajde e jeto në fshat sepse fshati im nuk e ka rrugën…fshati nuk ka ujë, fshati nuk ka shkollë, nuk ka qendër shëndetësore dhe unë nuk mund të të them hajde e jeto në fshat, fshati është një sakrificë shumë e madhe, nëse nuk e ndjen nuk mund ta jetosh fshatin”, tha Gerta.
Me një jetesë modeste dhe mes vështirësish, çfarë ka fituar ky çift i shkolluar jashtë por që ka ardhur mes malëve të Mirditës për të ndërtuar jetën, në shtëpinë e të parëve?
“Nuk jam bërë pishman asnjë ditë të jetës sime. Lodhem shumë, por kemi një liri që shumë pak njerëz e kanë. Kemi liri në të shprehur në të jetuar dhe liria është shpeshehër, shumë herë ka çmim, por liria asnjëherë nuk duhet të ketë çmim”, tha Gerta.
Top Channel