Me deklaratën e fundit, presidenti ukrainas Volodymir Zelensky nxori në pah edhe një tjetër anë të errët të agresionit rus ndaj vendit të tij: goditjen e trashëgimisë kulturore.
Zelensky tha se që nga fillimi i pushtimit, në rajone të ndryshme të Ukrainës janë shkatërruar më shumë se 60 muze e galeri arti. Sulmi rus me raketa S-300 në muzeun Kupyansk të zonës së Kharkivit, i mori jetën dy grave. Qyteti ndodhet rreth 10 kilometra nga vijat e frontit. Sipas Zelenskyt, edhe një kishë u shkatërrua nga themelet në provincën jugore të Khersonit.
“Kjo kishë u bë një nga qindra kishat dhe shtëpitë e lutjeve që rrafshohen nga sulmet ruse. Vendi terrorist po bën gjithçka për të na shkatërruar plotësisht. Historinë tonë, kulturën tonë, popullin tonë”, tha Zelensky.
Trupat ruse e pushtuan Kupianskun në fazën e parë të agresionit të tyre në Ukrainë, por Kievi arriti ta rimarrë sërish qytetin pas një kundërofensivë të befasishme në shtator, gjatë së cilës forcat ruse u dëbuan nga shumë zona të rajonit të Kharkivit.
Ushtria ukrainase po përgatitet tashmë për një kundërofensivë të re masive, duke u mbështetur në furnizimet më të fundit me tanke luftarake perëndimore e armatime të tjera. Në Uashington, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, paralajmëroi se forcat ruse mund t’i shtojnë sulmet sapo të fillojë ngrohja e motit.
“Ne e dimë se në pranverë, kur moti përmirësohet – dhe ai tashmë ka filluar të përmirësohet – mund të presim që rusët të nisin ofensiva të reja në disa zona”, u shpreh ai.
Top Channel