Nga Formula 1 te rritja e pagave dhe agroturizmi, Rama takim me bizneset në Elbasan

23/04/2023 15:00

Në Elbasan vijoi sot takimi informues i Kryeministrit Rama me sipërmarrës, drejtues e punonjës të kompanive private mbi reformën e qeverisë për rritjen e pagave në sektorin publik dhe domosdoshmërinë për ecjen në të njëjtën korsi edhe të sektorit privat, për ta bërë tregun më tërheqës dhe krahun e punës më të mirëpaguar kudo në vend.

“Shqipëria është në një nivel tjetër totalisht në perceptimin e botës për ne. Nuk është vetëm çështje perceptimi politik që ka ndryshuar 100%, jo 99%, 100%. Ju e keni parë vetë. Kush do ta mendonte që në Shqipëri Bashkimi Europian do të vinte dhe të bënte samitin e vet për herë të parë jashtë kufijve të Bashkimit Europian apo që Gjermania do vinte të bënte procesin e Berlinit siç do bëjë në tetor në mos gabohem, apo që Shqipëria do të organizonte kupën, një nga kupat e finales europiane dhe këtu kalojmë tani nga politika tek një perceptim që shkon përtej politikës.

Para se të vinim këtu dhe para se të bënim takimin me atë bashkë-ortakun e shtetit në këtë investim, ishim tek kantieri i auto motoparkut dhe unë ju them ne do sjellim çmimin e madh të Formula 1 në Elbasan brenda 2030-ës.

Kush mund ta imagjinonte në atë fushën atje që ishin ato kodrat e plehrave të Elbasanit që e dini shumë mirë ju se i keni gjurmët e kodrave të plehrave në mushkëri dhe largqoftë do tua shihni dhe zararin ndonjëri, kurrë mos ndodhte në të ardhmen, që mund të mendohej se aty mund të kemi një pol zhvillimi ekonomik të super fuqishëm”- tha Rama.

Drejtuar të pranishmëve, kreu i qeverisë nuk la pa cekur çështjen e pagave dhe sa prioritare është që biznesi të kuptoj se vetëm përmes rritjes së tyre, mund të mbajë krahun e punës në Shqipëri.

Kam takuar Kancelarin gjerman. I fola për çështjen e mjekëve dhe infermierëve, më pa në sy dhe më tha: të kuptoj shumë mirë, por që Gjermania të jetë kjo është që është duhet që deri në vitin 2030 të ketë 7 milionë plus krah pune prurje. Që do të thotë është në mendjen e çdo dite të Gjermanisë dhe të gjitha vendeve të zhvilluara, tani ka filluar Italia të flasë për hapje dyersh për punëtorë.

Spanjës sot i mungojnë 14 mijë mjekë. Pra është një spostim i madh prioritetesh drejt marrjes së njerëzve. Këtu ne duhet të mbijetojmë dhe që të mbijetojmë, miqtë e mi, duhet të kuptojmë që krahu i lirë  punës nuk është më avantazh kokurrues, ka mbaruar. Është e tejkaluar dhe nëqoftëse biznesi shqiptar nuk do të kuptojë këtë, do të gjendet një ditë si ai që tha: “po si ka mundësi, mor vëlla, gomari më vdiq tamam kur e mësova pa ngrënë?”

Do të gjendet, i rrofshin të gjitha çfarë kanë dhe ju rrofshin të gjitha çfarë keni bërë deri tani me kaq shumë mund dhe ju rrofshin 2, 3, 4 veturat dhe 2,3,4 vilat nëqoftëse do ju lënë punëtorët pushkën në faqe dhe do ju thonë; “auf ëiedersehen’’. Kjo është arsyeja pse duhet të shpejtojmë në rritjen e pagave. Natyrisht do të ishte një aventurë që ne të rrisnim pagat jashtë mundësive sepse është si puna e shpenzimit në shtëpi jashtë mundësive dhe pastaj një ditë gjendesh që duhet të shesësh gjithë shtëpinë. Kjo nuk mund të bëhet.

Kjo është luftë, po ju them dhe kjo luftë duhet t’i mbijetojmë të gjithë së bashku dhe nëse në një pjesë të gjësë, të kohës, biznesi duhet të dalë jek e jek, duhet të jetë shumë i lumtur me jek e jekun që të kapërcejë pastaj në një nivel më lart, në krahasim me daljen me kokë poshtë.

Paga minimale sot e jona u bë 40 mijë lekë dhe shikoni sa interesante. U bë 40 mijë lekë, në vitin 2023, tani, ndërkohë që në parashikimin programatik të Partisë Socialiste po dhe të asaj partisë tjetër që duke qenë se, ju e dini shumë mirë, që ata që s’kanë gjë në dorë mund të zgjidhin çdo gjë, se s’kanë gjë në dorë. Thonë do bëjmë këtë e do bëjmë atë, nuk i vjen në dorë dhe thonë ‘’po të ma kishit lënë mua në dorë, do e bëja”. Po provën nuk e kemi, pra mund ta kishin vënë dhe ata, pagën minimale thoshin,  në programin elektoral ku kishte trena me energji elektrike, ku kishte e ça s’kishte, paga minimale ishte 38 mijë lekë në 2025.

Ne e bëmë 40 mijë lekë sot. Pse ? Sepse është domosdoshmëri, përndryshe jeta është ajo që ndodh kur ne bëjmë plane të tjera dhe ajo që do të kishim pëprara do të ishte një katastrofë. Dhe do ta rrisim, do ta çojmë në 45 mijë lekë. Vitin tjetër 42 mijë dhe në 2025, 45 mijë dhe jam i bindur që po nuk shkoi 60 mijë ne jemi duke luftuar me kohën. Po nuk shkoi 60 mijë paga minimale ne jemi duke luftuar kundër kohës dhe lufta kundër kohës është e tmerrshme.

Kemi dyfishuar pothujase të ardhurat për frymë, e kemi filluar me 3300 euro se këto janë shifra konkrete për ata që flasin; jo po s’e kemi qenë kështu. Sot jemi në 6400. Por po nuk shkuam në 10 mijë euro për frymë, nuk kemi të ardhme”- tha Rama.

Më tej, kryeministri foli edhe për rëndësinë e agroturizmit në ekonominë shqiptare.

“E fundit që kam, unë kam shumë besim, që sinqerisht nuk e kam pasur të tillë për një kohë të gjatë tek ekonomia shqiptare si një ekonomi që mund të zhvillohet në mënyrë të shëndetshme.

Më besoni që ka vend për optimizëm. Ne nuk do prodhojmë raketa në Shqipëri, në fund të ditës ne do të arrijmë, siç kanë arritur vendet që i ka dhuruar Zoti bukuritë, i ka dhuruar Zoti pozicionin, ne jemi në mes të Europës, edhe ne të transformojmë dhuratën e Zotit në një benefit për njerëzit.

Jetojnë nëpër fshatra super turistikë dhe të zotët e shtëpisë hapin derën dhe fitojnë nga ata që vijnë në shtëpi. Kjo është Shqipëria e të ardhmes në sensin që nuk është se ne duhet të bëjmë ndonjë gjë, por na duhet të bëjmë gjithë këto të tjerat. Shikoni agroturizmin se çfarë ka sjellë”- tha Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA