Gjermania, Ukraina dhe Polonia duan të ndërtojnë një qendër riparimi për tanket Leopard 2 në kufirin polako-ukrainas.

Tanket luftarakë Leopard 2 do të riparohen në të ardhmen në një qendër të përbashkët riparimi në Poloni. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha se ai dhe kolegët e tij polakë dhe ukrainas nënshkruan një deklaratë përkatëse në kuadër të takimit të grupit të kontaktit të Ukrainës në bazën ajrore Ramshtajn në Gjermaninë jugperëndimore.

Pistorius shtoi se ai mendon që e ashtuquajtura qendër riparimi mund të fillojë punën “në fund të muajit të ardhshëm”. Shpenzimet për qendrën do të shkojnë pas gjithë gjasash “mes 150 dhe 200 milionë euro në vit”. Qendra do të mundësojë që në rast nevoje tanket 2A6 dhe 2A4 “të mund të riparohen dhe të rivihen shpejt në gjendje gatishmërie  (…)”, shpjegoi ministri. Kërkesa për riparime do të rritet, shtoi ai, duke ju referuar ofensivës pranverore që pritet të nisë Ukraina.

Vazhdim i furnizimeve me armë për Kievin

Vendet perëndimore premtuan në takimin e tyre në Ramshtajn se do të vazhdojnë të dërgojnë armë në Kiev për të mbështetur kundër-ofensivën e forcave të armatosura ukrainase kundër trupave ruse.

Ndihma ushtarake “për forcat e lirisë në Ukrainë” do të mbetet “e fortë dhe reale”, tha ministri amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, në takimin e ministrave të Mbrojtjes të Grupit të Kontaktit të Ukrainës në Ramshtajn, Rheinland-Pfalz./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA