Liberalizimi i vizave për Kosovën, KE: Nuk përfitojnë pasaportat e lëshuara nga Serbia!

22/04/2023 13:04

Vetëm mbajtësit e pasaportave të Kosovës do të përfitojnë nga liberalizimi i vizave, i cili nuk vlen nga ana tjetër për shtetasit e Kosovës të cilët kanë pasaporta të lëshuara nga autoritetet serbe.

Zëdhënësja e Komisionit Europian, Anita Hipper e pohoi këtë në një përgjigje me shkrim për REL. Serbët në Kosovë janë përjashtuar nga liberalizimi i vizave edhe kur Serbisë i janë hequr ato në vitin 2009. Sidoqoftë, KE e bën të qartë se po punohet që të gjithë qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor ta gëzojnë lirinë e lëvizjes në atë që njihet si zona Schengen dhe përbëhet prej dhjetëra shtetesh europiane.

“Derisa ecim përpara me liberalizimin e vizave për Kosovën, BE-ja është e vendosur të sigurojë që të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në regjimin pa viza të BE-së, me kusht që ekzistojnë rrethanat për udhëtim të sigurt”, tha Hipper.

Pas nënshkrimit të aktit ligjor për liberalizimin e vizave për Kosovën, më 19 prill, raportuesi për viza i Parlamentit Evropian, Thijs Reuten, e pohoi gjithashtu se heqja e vizave vlen vetëm për pasaportat e Kosovës. “Legjislacioni është formuluar me shumë me kujdes, ashtu siç thuhet, asgjë më shumë, asgjë më pak: qytetarët e Kosovës me dokument të lëshuar nga autoritetet e Kosovës mund të udhëtojnë lirshëm”, ishte komenti i tij.

Vendimi për lëvizje të lirë për qytetarët e Kosovës pritet të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2024. Qytetarëve të Serbisë me adresë banimi në Kosovë, pasaportat ua lëshon Administrata Koordinuese, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA