Ukrainë: Nuk priten dërgime avionësh luftarakë nga Gjermania

21/04/2023 15:49

Në bazën ushtarake amerikane Ramstein në Gjermani, ministrat e Mbrojtjes zhvillojnë të premten bisedime për ndihma të tjera ushtarake për Ukrainën. Pritet të flitet edhe për mbrojtjen nga ajri të Ukrainës.

Ministrat e Mbrojtjes së 54 vendeve janë takuar së fundmi në janar në Ramstein për të diskutuar ndihmat e mbrojtjes për Ukrainën. Pritshmëritë atëherë ishin të mëdha: Do të bëjë të ditur Gjermania dërgimin e tankeve luftarakë Leopard apo jo? Por ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius nuk kishte atëherë shumë për të thënë. “Për këtë arsye kam dhënë porosinë sot në mëngjes që të bëjmë një vlerësim të gjendjes së rezervave të tankeve Leopard dhe tipeve të ndryshme”, tha Pistorius. Kritikat ishin të mëdha nga përkrahësit e furnizimeve me armë. Drejtuesja e komisionit parlamentar, Marie-Agnes Strack-Zimmermann (FDP), bëri fjalë madje për dështim të Gjermanisë atëherë. Por pak më vonë erdhi edhe premtimi për të dërguar tanket Leopard.

Ministri amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin përshëndeti sërish kolegët në Gjermani në takimin e grupit të kontaktit për Ukrainën, ku bëjnë pjesë vende të NATO-s dhe aleatë të tjerë. “Në fund janë bërë shumë gjëra”, thotë Anton Hofreiter që drejton komisionin parlamentar për Europën në Bundestag. “Ukraina mund të rezistonte ndaj sulmeve ruse vetëm falë mbështetjes së madhe, sidomos të vendeve të grupit të kontaktit në Ramstein, e veçanërisht të SHBA”, shprehet politikani i gjelbër. Në të njëjtën kohë duhet thënë, se duhej të ishte bërë më shumë, sipas Hofreiter.

Edhe sipas politikanit të CDU për çështjet e mbrojtjes, Roderich Kiesewetter, Gjermania nuk bën pjesë tek nxitësit e mbështetjes ushtarake. Prandaj ka rëndësi efekti i dyfishtë i Ramstein-it sipas tij. “Forca e SHBA dhe një presion i duhur tek Gjermania që të jetë pjesëmarrëse. Sipas politikanit të CDU-së iste një vendim i mençur amerikan të vendosej në Gjermani formati i Ramstein-it.

Nuk priten dërgime avionësh luftarakë nga Gjermania drejt Ukrainës

Politikani i gjelbër, Hofreiter dhe ai i CDU-së, Kiesewetter janë tek ata politikanë që kërkojnë më shumë temp në furnizimin me armë të Ukrainës. Por as ata nuk presin që sot në Ramstein të vijë premtimi për avionë luftarakë nga Gjermania. “Kjo nuk ka relevancë për Gjermaninë. Sepse Gjermania nuk është gati të furnizojë nga rezervat e saj me Tornado të vjetëruar apo madje me Eurofighter, kur askush nuk është trajnuar për këtë.” Holanda dhe Britania e Madhe mund të luajnë rol në çështjen e dërgimit të avionëve luftarakë. Me ofertën për avionë luftarakë F16 të ndërtimit amerikan, apo edhe vetë SHBA, që deri më tani ka qenë e rezervuar në këtë drejtim.

Gjermania jep mbështetje me sisteme mbrojtëse ajrore

Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius pritet të theksojë të premten në Ramstein, se Gjermania bën gjithçka në drejtim të mbrojtjes ajrore. Kështu këtë javë në Ukrainë ka mbërritur sistemi i dytë “Iris-T”, një mbrojtje ajore, të cilën Gjermania as vetë nuk e posedon. Edhe sistemi i premtuar prej kohësh i mbrojtjes ajrore, Patriot ka shkuar këtë javë në Ukrainë. Për politikanin gjerman, Anton Hofreiter prioritet ka diçka tjetër “Më urgjentja është që Ukraina të pajiset si duhet me municion.” Pa iniciativa të reja të sigurimit të municionit dhe premtime të industrisë së armatimit, kjo nuk do të jetë e mundur, sipas Hofreiter.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA