Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se pret që Suedia t’i bashkohet NATO-s së shpejti.
“Po vërej se Finlanda, e cila ka marrë pjesë prej kohësh në këtë grup kontakti, është sot këtu si aleate e re e NATO-s. Presim që Suedia ta pasojë së shpejti”, u shpreh Austin në një takim me aleatët kryesorë perëndimorë në bazën ajrore amerikane, Ramstein, në Gjermani, Austin tha:
“Ne do të vazhdojmë ta kërkojmë pranimin tuaj të shpejtë në NATO dhe do të punojmë shumë për ta arritur këtë përpara verës.
Suedia ka aplikuar për anëtarësim në NATO në maj të vitit 2022, së bashku me Finlandën. Ky hap është bërë pak muaj pasi Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës.
Finlanda është bërë zyrtarisht anëtare e NATO-s më 4 prill, pasi të gjitha vendet anëtare kanë rënë dakord për pranimin e këtij vendi, por Suedia ende pret ratifikimin nga Turqia dhe Hungaria.
Udhëheqja turke vazhdon ta akuzojë Suedinë për mungesë angazhimi kundër “organizatave terroriste”, veçanërisht kundër Partisë së ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit.
Budapesti, nga ana tjetër, ka shfaqur zemërim me kritikat e Suedisë për sundimin e ligjit dhe korrupsionin në Hungari. Uashingtoni ka inkurajuar aleatët e NATO-s, Turqinë dhe Hungarinë, që ta ratifikojnë pranimin e Suedisë sa më shpejt që të jetë e mundur.
Top Channel