SHBA-ja ka arritur një ritëm rekord për vrasjet masive në vitin 2023, duke përsëritur tmerrin e vrasjeve afërsisht një herë në javë deri tani këtë vit.
17 vrasje masive kanë marrë jetët e 88 personave gjatë 111 ditëve. Çdo herë, vrasësit i kishin blerë armët e zjarrit. Vetëm në vitin 2009 u shënuan po kaq tragjedi të tilla në të njëjtën periudhë kohore.
Fëmijë në një shkollë fillore në Nashville, u qëlluan me armë në një të hënë të zakonshme. Fermerët në Kaliforninë Veriore, u vunë nën zjarrin e plumbave për shkak të një zënke në vendin e punës. Persona që festonin Vitin e Ri Hënor në një sallë vallëzimi në afërsi të Los Anxhelosit, u masakruan.
Vetëm në javën e fundit, katër pjesëmarrës të një feste u vranë dhe 32 u plagosën në Dadeville të shtetit Alabama, kur breshëria e plumbave u dëgjua në një ditëlindje e një 16 vjeçari. Një person i sapo liruar nga burgu qëlloi për vdekje katër të tjerë, përfshirë prindërit e tij, në Bowdoin të shtetit Maine, përpara se të hapte zjarr ndaj shoferëve që udhëtonin në një autostradë të ngarkuar ndërshtetërore.
“Askush nuk duhet të habitet,” tha Fred Guttenberg, vajza 14-vjeçare e të cilit Jaime ishte një nga 17 personat e vrarë në një shkollë të mesme në Parkland, të Floridës, në vitin 2018. “Unë e vizitoj vajzën time në varrezë. Indinjata është më e pakta që unë ndjej”.
Sipas të dhënave të mbajtur nga agjencia Associated Press dhe USA Today, në partneritet me universitetin Northeastern, viktimat në shkollën Parkland janë ndër 2,842 personat që janë vrarë në vrasjet masive në SHBA që nga viti 2006. Të dhënat mblidhen për vrasjet që përfshijnë katër ose më shumë vdekje, pa përfshirë autorin, i njëjti standard si FBI-ja.
Vrasjet masive përfaqësojnë vetëm një pjesë të dhunës fatale që ndodh çdo vit në SHBA. Megjithatë, vrasjet masive po ndodhin me një frekuencë marramendëse këtë vit: mesatarisht një herë në 6.53 ditë, sipas një analize të të dhënave të AP/USA Today.
Shifrat e vitit 2023 bëhen edhe më të rënda kur krahasohen me shifrat totale të viteve të tjera që nga koha kur numri i incidenteve të vrasjeve masive filloi të regjistrohej. Shtetet e Bashkuara kanë regjistruan 30 ose më pak incidente të vrasjeve masive në më shumë se gjysmën e viteve, në të cilat janë mbledhur të dhëna për këto incidente, kështu që fakti që janë shënuar 17 në më pak se një të tretën e vitit është e jashtëzakonshme.
Dhuna është rritur për një sërë motivesh. Vrasjet e shoqëruara me vetëvrasje, dhuna në familje, hakmarrjet e bandave kriminale, sulmet me armë nëpër shkolla dhe sulmet hakmarrëse në vendin e punës. Të gjithë vrasjet me këto motive kanë marrë jetën e katër ose më shumë njerëzve njëkohësisht, që nga 1 janari.
Megjithatë, dhuna vazhdon dhe pengesat në përpjekjet për ndryshim mbeten. Gjasat që Kongresi të rikthejë në fuqi ligjin për ndalimin e pushkëve gjysmë automatike janë të vogla, ndërsa Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vitin e kaluar vendosi standarde të reja për rishikimin e ligjeve të vendit për armët, duke vënë në pikëpyetje kufizimet e armëve të zjarrit në të gjithë vendin.
Ritmi i sulmeve masive me armë deri më tani këtë vit nuk parashikon domosdoshmërisht një rekord të ri vjetor. Në vitin 2009, gjakderdhja u ngadalësua dhe viti përfundoi me 32 incidente të vrasjeve masive që rezultuan në vdekjen e 172 njerëzve. Këto shifra tejkalojnë në një shkallë të vogël mesataren e 31.1 incidenteve të vrasjeve masive dhe 162 viktimave në vit, sipas një analize të të dhënave që datojnë që nga viti 2006.
Rekorde të rënda janë vendosur gjatë dekadës së fundit. Të dhënat tregojnë një numër të lartë prej 45 incidentesh të vrasjeve masive në 2019 dhe 230 njerëz të vrarë në tragjedi të tilla në 2017.
Atë vit, 60 njerëz vdiqën kur një person i armatosur hapi zjarr mbi njerëzit e mbledhur në një festival muzikor në Las Vegas. Kjo vazhdon të jetë masakra me numrin më të madh të viktimave në incedentet e vrasjeve masive në Amerikën moderne.
“Ky është realiteti: nëse dikush është i vendosur të ushtrojë dhunë masive, ata do ta bëjnë atë”, thotë Jaclyn Schildkraut, drejtore ekzekutive e Konsorciumit Qeveritar Rajonal të Studimit të Dhunës me Armë në Institutin Rockefeller. “Dhe përgjegjësia bie mbi ne, si shoqëri, që të përpiqemi të vendosim pengesa dhe barriera për ta bërë këtë më të vështirë.”
Por ka pak shenja, qoftë në nivel shtetëror apo federal, me disa përjashtime, për ndryshime të mëdha politike në një të ardhme të afërt.
Disa shtete janë përpjekur të vendosin më shumë kontrolle mbi armëmbajtjen brenda kufijve të tyre.
Javën e kaluar, guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer nënshkroi një ligj të ri që detyron kontrollet e të kaluarës kriminale për blerjet e pushkëve, ndërsa shteti më parë e kërkonte këtë vetëm për njerëzit që blinin pistoleta.
Të mërkurën, një ndalim i dhjetëra llojeve të pushkëve gjysmë-automatike u miratua në legjislaturën e shtetit të Uashingtonit dhe do të dërgohet për nënshkrim në zyrën e guvernatorit.
Shtetet e tjera po ndeshen me një raund të ri presioni. Në Tenesi, një shtet me shumicë konservatore, protestuesit u mblodhën në Kapitolin e shtetit për të kërkuar rregulla më të forta për armëmbajtjen pasi gjashtë persona u vranë në një shkollë fillore private në Nashville muajin e kaluar.
Në nivel federal, presidenti Joe Biden vitin e kaluar nënshkroi një projekt-ligj të rëndësishëm kundër dhunës me armë, i cili forcon kontrollin e biografisë për blerësit më të rinj të armëve, krijon kufizime të armëmbajtjes për persona që kanë kryer dhunë në familje, dhe ndihmon shtetet të përdorin ligjet mbi sinjalet paralajmëruese, që i mundësojnë policisë të kërkojë nga gjykatat të konfiskojnë armët nga njerëzit që tregojnë shenja se mund të bëhen të dhunshëm.
Sipas statistikave, vrasjet në masë janë të rralla, pavarësisht titujve bombastikë. Ato kryen çdo vit nga një numër i vogël njerëzish, në një vend me afro 335 milionë banorë. Nuk ka asnjë mënyrë për të parashikuar nëse ngjarjet e këtij viti do të vazhdojnë me të njëjtin ritëm.
Ndonjëherë vrasjet në masë ndodhin radhazi, si në janar, kurse sulmi me armë zjarri në Kaliforninë Veriore dhe Jugore, me një distancë kohore dy ditore nga njëra-tjetra. Ka muaj që kalojnë pa gjakderdhje.
“Jo domosdoshmërisht duhet të presim që të vazhdojnë të ndodhin vrasje në masë për një hark kohor më pak se një javë”, thotë kriminologu James Alan Fox nga Universitetit Northeastern, i cili mbikëqyr bazën e të dhënave. “Shpresojmë që kjo nuk do të ndodhë”.
Megjithatë, ekspertët dhe avokatët kritikojë përhapjen me shpejtësi të armëve në Shtetet e Bashkuar gjatë viteve të fundit në, duke përfshirë shitjet rekord gjatë kulmit të pandemisë.
“Ne duhet të dimë se kjo nuk është mënyra për të jetuar”, thotë John Feinblatt, president i organizatës jo fitimprurëse “Everytown for Gun Safety”. “Ne nuk duhet të jetojmë në këtë mënyrë. Dhe ne nuk mund të jetojmë në një vend që ku ka armë kudo dhe në çdo kohë”.
Organizata për të drejtën e armëmbajtjes, “National Rifle Association” nuk iu përgjigj kërkesës së agjencisë Associated Press për një koment.
Jaime Guttenberg do të ishte tani 19 vjeç. I ati tashmë i kalon ditët duke bërë fushatë për kontrollin e armëve.
“Nuk duhet të habitemi për gjendjen ku ka arritur Amerika sot”, tha zoti Guttenver. “Shihni shifrat. Ato nuk gënjejnë. Ne duhet të bëjmë patjetër diçka për të përmirësuar situatën, duhet të bëjmë diçka tani”.
Top Channel