Biden rikandidon në presidencialet 2024, shpallja javën e ardhshme

21/04/2023 08:52

Joe Biden duket se ka vendosur t’i japë fund hamendësimeve, presidenti amerikan pritet të shpallë zyrtarisht javën e ardhshme vendimin e tij për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Tre persona në dijeni të çështjes folën në kushte anonimiteti për agjencinë e lajmeve Associated Press, thanë se presidenti mund ta bëjë këtë lëvizje të martën në 25 prill, pikërisht katër vjet pasi ai hyri në garën presidenciale të vitit 2020. Njoftimi thuhet se do të bëhet përmes publikimit të një video mesazhi drejtuar mbështetësve të tij.

Në një tjetër shenjë që tregon se ai ka vërtet plane për fushatë, Biden ka ftuar donatorët në Washington nga fundi i javës që vjen. Demokrati 80 vjeçar e ka bërë disa herë të qartë se e synon një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë. Edhe gjatë udhëtimit të tij të fundit në Irlandë, kur u pyet për datën e shpalljes së kandidaturës, ai u përgjigj se kjo “do të ndodhë së shpejti”.

Ka shumë rezerva lidhur me këtë kandidaturë të dytë të tij të cilat lidhen me moshën e Biden, e madje ky lloj ngurrimi gjendet edhe në mesin e vetë demokratëve. Deri në 2024-tën, ai do të jetë 81 vjeç dhe nëse e fiton vërtet mandatin e dytë, do ta nisë atë si 82-vjeçar.

Këto muajt e fundit ai është përqëndruar në zbatimin e ligjeve të më mëdha të infrastrukturës, investimeve në fushën e teknologjisë dhe klimës të miratuara gjatë dy viteve të tij të para në detyrë dhe në krijimin e një kontrasti të fortë me republikanët ndërsa Uashingtoni po përgatitet për një betejë mbi tavanin e borxhit.

Këshilltarët e tij besojnë se këto përparësi do të përmirësojnë imazhin e tij përpara fushatës për të siguruar mandatin e dytë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA