Billstrom: Kosova dhe Serbia të zbatojnë detyrimet nga marrëveshja e Ohrit

21/04/2023 09:25

Ministri suedez i punëve të Jashtme, Tobias Billstrom, u bëri thirrje të enjten Kosovës dhe Serbisë që të përmbushin detyrimet që dalin nga marrëveshja e arritur muajin e kaluar në Ohër, për normalizimin e marrëdhënieve.

Zoti Billstrom, vendi i të cilit e mban aktualisht udhëheqjen e Bashkimit Evropian gjatë javës ka qëndruar edhe në Serbi, ndërsa qëndroi të enjten në Prishtinë për takime me udhëheqës të institucioneve të Kosovës.

“Nëse ju angazhoheni për një marrëveshje, ju duhet ta përmbushni atë dhe kjo do të thotë gjithashtu se në rastin e Serbisë, sigurisht që duhet të përmbahen nga pengimi i Kosovës që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare… Në anën tjetër është mirë dhe me vend që Kosova të përmbushë përkushtimin e saj dhe të sigurohet që të krijohet Asociacioni i komunave më shumicë serbe në përputhje me marrëveshjen e Ohrit”, tha zoti Billstrom.

Ai shprehu bindjen se marrëveshje pasi të zbatohet do të heq nga rendi i ditës edhe situatën e paqëndrueshme në veriun e Kosovës dhe do të ndikojë pozitivisht në gjithë rajonin.

Marrëveshja e Ohrit e mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Zbatimi i marrëveshjes pritet të diskutohet me 2 naj në Bruksel në takimin e radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë në tërësi marrëveshjen dhe çdo refuzim për ta bërë një gjë të tillë do të ketë pasoja negative./Voa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA