Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi të enjten nga Kievi, se Ukraina e meriton të anëtarësohet në NATO dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme për këtë vend.
“Vendi i duhur i Ukrainës është në familjen euro-atlantike… Vendi i duhur i Ukrainës është në NATO”, tha zoti Stoltenberg gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Kiev me presidentin ukrainas Zelenskiy.
Kjo është vizita e parë në Ukrainë e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s që nga fillimi i sulmit të Rusisë mbi një vit më parë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha të enjten se ka ardhur koha që NATO të marrë vendimin politik për ta ftuar Ukrainën të anëtarësohet në aleancë, dhe se Kievi do të donte të dinte se kur mund të ndodhë anëtarësimi.
Udhëheqësi ukrainas tha gjatë një konference të përbashkët për shtyp gjatë vizitës në Kiev të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, se takimi i ardhshëm i aleancës në Vilnius mund të shndërrohet në një takim historik, nëse jepet ftesa për Ukrainën.
“Nuk ekziston asnjë pengesë objektive për ta ftuar Ukrainën në aleancë, dhe tashmë që pjesa më e madhe e popullsisë të vendeve të NATO-s dhe shumica e ukrainasve mbështesin anëtarësimin në NATO, ky është momenti i duhur për të marrë vendimet përkatëse”, tha zoti Zelenskiy.
Vizita e kreut të NATO-s ka një simbolikë të veçantë, pasi u bë vetëm dy ditë pasi Presidenti rus Vladimir Putin vizitoi rajonet e pushtuara të Ukrainës.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se parandalimi i anëtarësimit të Ukrainës në NATO mbetet një nga objektivat e “operacionit të posaçëm ushtarak”, siç e quan Moska sulmin në Ukrainë. Duke folur me gazetarët nëpërmjet telefonit, zoti Peskov tha se anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të krijonte “një kërcënim serioz dhe domethënës për vendin tonë, për sigurinë e vendit tonë”.
Më herët këtë muaj, aleancës iu bashkua Finlanda, duke lënë mënjanë dekada neutraliteti dhe duke bërë kështu një ndryshim historik të kuadrit të sigurisë evropiane të periudhës së pas Luftës së Ftohtë. Megjithëse NATO thotë se kjo nuk përbën një kërcënim për Rusinë, anëtarësimi i këtij vendi nordik është një goditje e rëndësishme politike për Presidentin rus Putin dhe dyfishoi kufirin tokësor të Rusisë me aleancën më të madhe ushtarake në botë. Për më tepër, vendi fqinj Suedia pritet të anëtarësohet në NATO gjatë muajve në vazhdim.
Top Channel