Zëvendës Prokurorja e Përgjithshme e SHBA, Lisa Monaco tha se Departamenti i Drejtësisë ka një angazhim të palëkundur për të ndjekur penalisht krimet e luftës ruse gjatë dëshmisë së saj në Komitetin Gjyqësor të Senatit.
“Faktet janë të qarta: Rusia ka kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Ukrainë”– tha Monaco në fjalën e saj hyrëse, duke shtuar se: “Ne nuk mund dhe as nuk do t’i lejojmë kriminelët e luftës t’i shpëtojnë përgjegjësisë për agresionin dhe mizoritë që kanë kryer në Ukrainë.”
Monako falënderoi Komitetin Gjyqësor të Senatit për mbështetjen e përgjigjes së administratës Biden ndaj luftës në Ukrainë në baza bipartizane, duke shtuar se Departamenti i Drejtësisë mund të punojë me komisionin për çështje të tjera, të tilla si “dhënia e juridiksionit penal federal për krime të caktuara kundër njerëzimit, rritja e gamën e aseteve të sekuestruara që mund të transferojmë për rindërtimin e Ukrainës dhe zgjerimin e autoritetit të departamentit për të ndjekur penalisht aktet e torturës të kryera kundër shtetasve amerikanë jashtë vendit.”
Deklarata e Monakos vjen mes fokusit disaditor nga Departamenti i Drejtësisë në përpjekjet e tyre për të mbajtur Rusinë përgjegjëse për krimet në Ukrainë.
Në fillim të kësaj jave, Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland priti Prokurorin e Përgjithshëm ukrainas Andriy Kostin dhe njoftoi se Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së do të vendos një prokuror në Hagë për të ndihmuar në hetimin e krimeve ruse të agresionit në Ukrainë.
Kujtojmë se, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër arresti për presidentin rus Vladimir Putin dhe një zyrtar tjetër rus në mars, duke i akuzuar ata si pjesë e skemës për dëbimin e fëmijëve ukrainas në Rusi.
Një ditë më parë, OKB-ja zbuloi në një raport se Rusia ka “kryer një gamë të gjerë shkeljesh të ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar humanitar” në Ukrainë, duke përfshirë “sulme ndaj civilëve dhe infrastrukturës së lidhur me energjinë, vrasje të qëllimshme, mbyllje të paligjshme, torturat, përdhunimet dhe dhunën tjetër seksuale, si dhe transferimet dhe dëbimet e paligjshme të fëmijëve”.
Top Channel