Një grua ukrainase nga Kherson u tregoi ligjvënësve të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA se si u rrah nga forcat ruse në fillim të këtij viti.
57-vjeçarja Lyubov, mbiemri i të cilës nuk u tregua dhe fytyra nuk u shfaq për arsye sigurie, punoi si kontabilist dhe jetoi nën pushtimin rus për më shumë se një vit.
“Në janar të këtij viti, ata erdhën për mua”- i tha ajo Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve nëpërmjet një përkthyesi. Lyubov tha se ushtarët rusë hynë me forcë në shtëpinë e saj, duke pretenduar se po kërkonin armë dhe konfiskuan “një hartë të Ukrainës, flamurin e Ukrainës, magnet suvenir me imazhe të Ukrainës dhe një shenjë me fjongo blu dhe të verdhë që simbolizon viktimat nga Lufta e Dytë Botërore”.
“Këto ishin provat e tyre kundër meje“- tha 57-vjeçarja, duke rrëfyer se më pas e dërguan në “dhomë torture” ku u mbajt për 5 ditë, u rrah, u detyrua të zhvishej, e prenë me thikë dhe e kërcënuan me përdhunim dhe vrasje.
“Edhe mua më nxorën në fushë dhe më rrahën sërish dhe më vunë një pistoletë pranë kokës dhe qëllonin sikur donin të më ekzekutonin. Më detyruan të hap varrin tim”, rrëfen ajo.
Ukrainasja tha se pa edhe njerëz të tjerë duke u torturuar, të cilët “i nxirrnin jashtë me qese të zeza plastike në kokë”.
“Unë shqetësohem shumë për ta. Do të doja t’i gjeja një ditë, por nuk jam e sigurt nëse janë ende gjallë,” tha ajo.
Lyubov tha se ushtarët e lanë të ikte, “por ata thanë se do të kthehen”.
Kur ajo u kthye në shtëpinë e saj, ajo ishte grabitur dhe i kishin marrë medaljet që i përkisnin babait të saj. 57-vjeçarja ukrainase ishte në gjendje të ikte nga Kherson dhe shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të qenë me vajzën e saj, por ajo shpreson që të jetë në gjendje të kthehet në Ukrainë.
“Unë po ju tregoj historinë time, dhe ka njerëz të tjerë që po grabiten, përdhunohen dhe rrihen në ato territore tani. Këto krime të tmerrshme duhet të ndalen”- tha ajo.
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut katalogoi mijëra raste të viktimave civile së bashku me rastet e torturës, përdhunimit dhe ndalimit arbitrar në konfliktin e Ukrainës gjatë gjashtë muajve, nga gushti 2022 deri në janar 2023, duke e quajtur situatën “të tmerrshme”.
Rusia aktualisht pushton zona të rajonit jugor të Khersonit, ndërsa trupat e Moskës u shtynë nga qyteti i Khersonit dhe pjesa perëndimore e rajonit në nëntor 2022.
Top Channel