Gjatë fushatës elektorale, është koha kur partitë politike më shumë se kurrë hapin thesin e parave.
Fondi i caktuar nga buxheti i shtetit për financimin e subjekteve zgjedhore për garën e 14 majit është 100 milionë lekë, ndërkohë partitë sigurojnë të ardhura edhe nga financime private prej simpatizantëve. Para të cilat, shpërndahen edhe te bizneset të cilat kujdesen për organizimin e aktiviteteteve të kandidatëve zgjedhorë, të cilat sipas ekonomistëve ndikojnë në rritjen e të ardhurave të shqiptarëve.
“Bizneset përfituese kryesisht janë dyqanet e harruara të cilat merren me qira për 3 muaj për fushatë; bizneset e transportit, ato biznese që realizojnë broshurat, reklamat, marketingun; duken si punë të vogla por në fakt këto i japin frymëmarrje biznesit, sidomos kur janë në një moment që po kalojnë periudhë të vështirë”, është shprehur ekspertja e ekonomisë Romina Radoshiqi.
Përveç qyteteve, politikanët i kushtojnë vëmendje të shtuar votuesve në fshatra në rrugëtimin e tyre elektoral, duke i dhënë një shtysë ekonomisë edhe në këto zona.
“Ka një ndikim në zonat rurale me pikat e fushatës të ngritura aty si dhe takimet që realizojnë duke kaluar kohë në fshatra ndihmojnë edhe bizneset e vogla me shpenzimet që kryejnë”, tha Romina Radoshiqi
Partia Socialiste erdhi ndryshe këtë herë, me një fushatë ekologjike ku financimet i drejton te blerja e pemëve. Por nuk mungon edhe slogani i partisë në pikat kryesore të vendit, duke i përdorur paratë e fushatës për rritjen e të ardhurave të bizneseve reklamuese.
Ndërkohë koalicioni Berisha- Meta u tregua dorëlëshuar në mitingun e fushatës duke marr përkohësisht ambientet e stadiumit me qira. Përmasat e fushatës së Partisë Demokratike, janë më modeste pasi mitingun e parë e mbajtën te Pallati i Sportit.
Top Channel