Turi i gjelbër, Veliaj ndalet në Njësinë 2: Punët tona flasin vetë, krenar për të gjitha shkollat që kemi bërë në Tiranë

18/04/2023 19:29

Në vijim të turit të gjelbër drejt zgjedhjeve të 14 majit, kandidati i PS për Tiranës, Erjon Veliaj, u ndal në Njësinë 2, ku pasi mbolli disa pemë me banorët, renditi investimet kryesore për zonën, sidomos për shkollat e reja dhe ndërhyrjet kapilare në çdo rrugicë.

“Ne nuk kemi nevojë të ngjisim postera sepse çdo punë që kemi bërë flet vetë. Mjafton të bësh një rrotullim 360 gradë për të parë se çfarë kemi bërë. Le të marrim rastin e Shkollës së Baletit, parketi i së cilës dikur mbushej me ujë, fryhej e gati sa s’dilte nga dritarja, kurse sot kemi një shkollë model, që është patjetër kombëtare, por është e Njësisë 2. Flasim për shkollën ‘Kosova’: Këta që thonë sot falas kjo, falas ajo, na mbytën ndërtimet, vetë jetojnë te kulla ngjitur me shkollën ‘Kosova’, por shkollën e kishin bërë shesh për pallat. Shyqyr që e bllokuam në kohë dhe e fituam me votë në 2015-ën Bashkinë e Tiranës, se ndryshe shkolla “Kosova” do ishte bërë pallat. Sot, kjo shkollë është standardi i asaj se çfarë do të thotë të kesh një shkollë për së mbari, si jashtë shtetit, m’u në zemër të Tiranës”, deklaroi ai.

Veliaj përmendi edhe rikonstruksionin e Piramidës, një hapësirë e cila do t’i japë Shqipërisë dhe Tiranës qendrën më të madhe digjitale në rajonin tonë. “Piramida po bëhet gati.

Gjenerata e prindërve tanë punuan në fasoneri, në tekstil, në këpucë. Ato ishin punët e viteve ‘90. Kurse, punët e viteve 2000 ishin me ‘call center’.

Sot jemi duke planifikuar për punët e së ardhmes: kodimi, digjitalizimi, realiteti virtual. Ne duam që Piramida të jetë një monument i të rinjve, ku mësojnë zanatet e shekullit të ri”, u shpreh më tej ai.

Një tjetër investim i rëndësishëm në Njësinë 2, tha Veliaj, është Pazari i Ri, që ashtu si Kalaja e Tiranës, janë vendet më të vizituara nga çdo turist që vjen në vendin tonë.

Kur mendon ‘Pazarin e Ri’, se si është transformuar, – ata vërtet thonë “lali fiku”, por ç’është e vërteta, te ‘Pazari i Ri’, ke qejf të shkosh. Në kohën e këtyre, në pazar të dilte miu sa koka ime dhe të merrte përpara. Ju kujtohet? Këpucët bënin pllaq-plluq në shëllirë? Sot i kemi harruar ato, të gjithë jemi duke qeshur, por a ju kujtohet kur për këto projekte dilnin në televizor dhe thoshin ‘kjo është pasuri kombëtare’. Asbesti pasuri kombëtare?! Miu pasuri kombëtare?! Lluca pasuri kombëtare?! Shëllira pasuri kombëtare?! Ju kujtohet kur dilnin te Kalaja? Sot kanë lezet në Njësinë 2 Pazari, Kalaja, shkollat”, tha Veliaj.

Në fund, ai veçoi shkollën ‘Bashkim Fino’, e cila mban emrin e ish kryeministrit të ndjerë, autor i reformës territoriale falë së cilës sot janë bërë ndërhyrje kapilare në çdo ish komunë.

“Më kujtohet puna e shkëlqyer që kemi bërë me shkollat. Jo vetëm shkolla ime “Kosova”, shkolla “Labinoti”, sot quhet “Osman Myderizi”, apo shkolla “Mihal Grameno”, ku sapo bëmë fushat e reja. Një nga shkollat më të mira mban emrin e mikut tonë të ndjerë, autorit të Reformës Territoriale, Bashkim Fino. Po mos të ishte për vizionin e Bashkim Finos ne nuk do bënim dot kurrë rrugën nga “Lapidari” deri në Krrabë, sepse duheshin 67 vite me taksat e Krrabës. Rruga për në Zall-Herr s’do bëhej, ashtu si rruga e Shëngjergjit, apo rruga e Zall-Bastarit. Në Pezë, janë bërë 4 shkolla të reja. Që nga koha e Babë Myslymit, nuk ishin bërë aq shumë shkolla aty. U bë gjithë “Rruga e Elbasanit”, vumë kolektorin dhe e shpëtuam nga përmbytjet. E kemi harruar se nuk përmbytet më”, e mbylli Veliaj fjalën e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA