PD hapi fushatën, kandidati Roland Bejko prezanton vizionin për Tiranën: Jemi e vetmja alternativë e djathë

18/04/2023 19:26

Kandidati i Partisë Demokratike për Tiranë, Roland Bejko ka prezantuar vizionin e tij për kryeqytetin në hapje të fushatës zgjedhore.

Ai tha se vizioni i tij për Tiranën, ‘nuk bazohet në premtime utopike me autobusë falas apo me dy milion pemë, por te një vizon realist dhe tërësisht i mundshëm. Një vizion qartësisht i djathtë ku në thelb janë vlerat më të mira njerëzore si  merita, konkurrenca, morali politik, ndershmëria’- tha Bejko teksa renditi 15 premtime.

Fjalimi i kandidatit të PD Roland Bejko:

“Këtë kandidim dhe këtë përgjegjësi e kam pranuar me bindjen dhe besimin më të madh. Është vendimi më i duhur dhe i  më i drejtë që kam marrë në jetën time politike, për disa arsye:

E para sepse ka të bëjë me karakterin tim. Asnjëherë në jetën time 33 vjeçare brenda Partisë Demokratike nuk jam stepur nga sfidat dhe vështirësitë. Gjithmonë, në momentet më të vështira, sa herë që është dashur kontributi im për Partinë Demokratike, nuk jam kursyer në asnjë moment. Të gjitha energjitë dhe njohuritë e mia i kam vendosur në shërbim të saj dhe  të demokratëve, pa përfituar asnjë gjë mbrapsht. Sepse jam njeri prej jush, demokratëve të thjeshtë që vetëm kanë luftuar për Partinë Demokratike dhe s’kanë përfituar kurrë prej saj.  Dhe sigurisht që nuk do të stepesha as kësaj radhe. Aq më shumë në këtë garë ,ku lipset kontributi i të gjithëve ne. Unë e shikoj politikën si mision dhe jo si përfitim. Kështu jam unë. Një idealist i pandreqshëm,  dhe kështu do të jem gjithmonë. Njësoj si të gjithë ju këtu.

E dyta, si mund të pranoja unë, si mund të pranonim ne të gjithë, që demokratët në Tiranë, në kryeqytetin e Shqipërisë të përfaqësoheshin nga një non-grata nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, i izoluar nga e gjithë politika perëndimore si Sali Berisha. Si mund të pranonim ne, që demokratët në Tiranë të përfaqësoheshin nga një socialist si Ilir Meta. Demokratët nuk e meritojnë një poshtërim të tillë. Ne jemi këtu sot , unë jam në  këtë garë pikërisht për të shpëtuar nderin dhe historinë e Partisë Demokratike që mos të rrëshqasë në duart e një autokrati lindor dhe në dorën e një grabitqari politik si socialisti Ilir Meta, të cilin Sali Berisha e ka futur në mënyrë të pabesë në gjirin e demokratëve, që ai votat e tyre  ti marrë dhe ti çojë nesër te pazari i radhës me  Edi Ramën. Kjo është një tradhti historike, një thikë mbas shpine që I ka futur demokratëve dhe të djathtës Sali Berisha. Kjo është pabesia më e madhe politike që i ka bërë atyre demokratëve të ndershëm, që janë të gjithë miqtë dhe shokë tanë. Por ne, kurrsesi nuk mund tja jepnin këtë kënaqësi. Ne jemi këtu, pikërisht për të ndalur këtë pabesi. Ne jemi këtu, për ti thënë të gjithë shokëve tanë demokratë që kjo është partia e tyre, Partia Demokratike është shtëpia e tyre dhe jo Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir metës.

E treta, kandidatura jonë në Tiranë  është e vetmja alternativë e së djathtës shqiptare në këto këto zgjedhje. Të gjitha të tjerët janë flamuj të majtë. Nga komunistët e deri të socialistët. Në këtë kuptim kjo garë, ka rëndësi edhe më të madhe për demokratët dhe të djathtën shqiptare. Nuk mund ta linim ne Tiranën në dorën e së majtës , sepse e dimë shumë mirë se çfarë shkatërrimi janë për të ardhmen e saj dhe të qytetarëve të Tiranës.

Dhe e fundit, por më e rëndësishmja, unë pranova të kandidoja në këtë garë sepse besoj fort se ne do te dalim  me kokën lart dhe fitues. Unë kam besim te ju dhe të gjithë njerëzit e ndershëm të Tiranës, se ne mund ta shporrim Erion Velinë nga zyra që ka zaptuar. Jam i ndërgjegjshëm që nuk është një betejë e lehtë, por ai që beson, në fund fiton. Dhe unë besoj te suksesi ynë i përbashkët që fillon nga Tirana.

Kjo nuk është një garë e vështirë sepse përballë kemi ndonjë kundërshtarë të fortë. Erion Veliaj nuk ka fituar asnjë betejë politike me forcat e tij. Në 2015 fitoj me votat e LSI-së, në 2019 nuk ishte kandidatë përballë. Ndërsa kur ka garuar vetëm me g-99, nuk mori as 2 përqind të votave. Popullariteti i tij, është një popullaritet fals, i ndërtuar nga propaganda mediatike. Ai është një njeri i katapultuar nga Edi Rama në Partinë Socialiste. Është thjesht një cirak i ustait të tij, pa asnjë rekord politik. Po!! Ka një rekord Erion Veliaj! Në fakt janë dy. Erion Veliaj njihet si kryebashkiaku që bënë totalisht të kundërtën e asaj që thotë dhe premton. Premtoi moratorium për ndërtimet dhe ndërkohë ka dhënë 8 milion metër katron leje ndërtimi në 8 vite. Po e përsëris dhe njëherë! 8 milion metra katror në 8 vite. Një milion metër katror në vit. Erion Veliaj do të mbahet mend si kryebashkiaku që ka ka dhënë më shumë lejë ndërtimi se sa të gjithë kryebashkiakët  në 33 vite tranzicioni së bashku. Erion Veliaj do të mbahet mend si kryebashkiaku i betonit, do të mbahet mend që në Tiranën e tij sipas raporteve ndërkombëtare janë pastruar 1.6 miliard dollar. Ka dhe një rekord tjetër.. Ka rritur me 8 herë taksat lokale. I ka marrë frymën sipërmarrjes dhe qytetarëve me taksa dhe me gjoba absurde. Një person i cili, këto para që ja ka marrë sipërmarrjes dhe qytetarëve i ka shpërdoruar me ahengje politike dhe me tenderë korruptiv për klientët e  tij. Qeverisja e tij në krye të bashkisë Tiranë do të mbahet mend si një qeverisje që i ka marrë frymën njerëzve, një qeverisje që ka rrjepur qytetarët e Tiranës dhe paratë e tyre i ka çuar në xhepat e oligarkëve.  Si mund të jetë popullor një njëri i tillë?! Nuk ka kurrsesi. Qytetarët e Tiranës kanë vetëm urrejtje dhe përçmimi për të. Kjo është e sigurt.

Kjo betejë, është e vështirë jo se përballë kemi Erion Veliajn , por përballë nesh kemi trinomin e tranzicionit shqiptar, oligarkinë politike Edi Ramën – Sali Berishën dhe Ilir Metën,  që për 33 vite me radhë ja kanë marrë frymën Shqipërisë dhe Tiranës.  I kanë ngulur kthetrat Tiranës dhe Shqipërisë për interesat e tyre dhe familjarëve të tyre. Kjo oligarkik politike, mbështet nga oligarkia ekonomike. Të cilët i kanë të gjithë së bashku. Që të tre!  Erion Veliaj është përfaqësuesi i tyre më i denjë. Ditën bëjnë sikur zihen ndërsa natën Erion Veliaj shpërndan leje ndërtimi për të gjithë këtë oligarki politike.

E keni dëgjuar ju ndonjëherë Belind Këllicin të denoncojë ndonjë oligark apo ndonjë kullë?!! Si ka mundësi se bën ndonjëherë? Është shumë e thjeshtë . Shefat e tij, Ilir Meta dhe Sali Berisha nuk ja lejojnë, sepse i kanë kanë të lidhura interesat me oligarkët e Tiranës dhe Shqipërisë. Belind Këllici, me keqardhje e them, është vënë në dispozicion të politikës antiamerikane në Shqipëri. Po përdoret si levë e politikës së vjetër Meta -Berisha. duke përfaqësuar politikën e vjetër 33-vjeçare në Shqipëri . Prandaj, si Belo si Lali janë fotokopje e njeri tjetrit. Nuk ka asnjë dallim midis tyre në qëllimet që kanë për këto zgjedhje.

Trinomi Berisha Meta Rama janë bashkë dhe kjo s’ka asnjë pikë dyshimi.  Nuk mund të ketë jetë politike gjysma e sistemit pa gjysmën tjetër! Dhe interesat lidhen pikërisht te ndërtimet e Tiranës të  Erion Veliajt. Shikoni se çfarë po u bëjnë pronarëve të tokave në Tiranë. Po ja u zhvasin. Në disa raste kemi shpronësime me dhunë. Në disa raste shpronësime jashtë çmimeve të tregut. Vetëm e vetëm që oligarkia politike të qerasë oligarkinë ekonomike që i mban këta në pushtet.

E megjithatë, megjithëse kemi përballë kastën e vjetër politike  shqiptare dhe interesat e tyre financiare, ne jemi besimplotë në betejën tonë se do tja dalim. Sepse do të kërkojmë votën e demokratëve, votën e njerëzve të lirë, votën e atyre që nuk e durojnë dot këtë kastë politike sepse i ka marrë frymën për 33 vite , sepse mbi 70 përqind e qytetarëve shqiptare janë kundra trinomit Rama-Berisha-Meta dhe do të jenë kundra edhe dy cirakve të tyre Kellici dhe Veliaj.

Ne do të fitojmë edhe për një arsye tjetër. Sepse ne, bashkë me hartuesit e programit tonë për Tiranën, që gjejë rastin ti falënderoj nga zemra të gjithë për kontributin e tyre, kemi vizionin dhe alternativën më të mirë për Tiranën. Përkushtimi, ndershmëria dhe aftësia, janë ato cka na diferencojnë nga kundërshtarët tanë.

Vizioni im për Tiranën, vizoni ynë për Tiranën, nuk bazohet te premtime utopike me autobusa falas  apo me dy milion pemë, por te  një vizon realist dhe tërësisht i mundshëm. Një vizion qartësisht i djathtë ku në thelb janë vlerat më të mira njerëzore si  merita, konkurrenca, morali politik, ndershmëria. Ku në qendër të këtij vizioni  janë identiteti, kultura dhe historia e Tiranës. Ky është një vizion totalisht i kundërt me  dy alternativat majtise që kemi përballë.

Në fakt, ne mund ti premtonim qytetarëve të Tiranës jo vetëm autobusë falas, por edhe një euro për çdo person që merrte transportin publik, apo nga një pemë në çdo shtëpi, por ne jemi njerëz serioz. Ne e shikojmë politikën dhe qeverisjen me seriozitet dhe ndershmëri, dhe jo me mashtrime populiste që si beson askush.

Ne jemi për një Tiranë, qytet mikpritës për studentët me të gjitha infrastrukturat nevojshme, e cila të jetë e gatshme  për të pritur  150 mijë studentë, shqiptar dhe të huaj brenda vitit 2030.

Ne jemi për një Tiranë, ku çerdhet, kopshtet dhe shkollat mos të jenë më shumë se 15 minuta larg shtëpive të çdo familjeje.  Ne jemi për një Tiranë, ku taksat lokale për sipërmarrjet kulturore dhe artistike, apo individë, janë zero.

Ne jemi për një Tiranë, ku tregjet e ushqimeve nuk janë monopol. Dhe ne për këtë, do të ndërtojmë 5 tregje në pikat hyrëse të Tiranës dhe do të nxisim konsumin e ushqimeve me ‘’kilometër zero’,’ për të ndihmuar shitjen e prodhimit të   zonave rurale të Tiranës.

Ne jemi për një tiranë, me taksa të ulëta dhe taksa për të gjithë. Për të nxitur dhe për ti dhënë frymëmarrje ekonomisë lokale. Për nxitjen e ekonomisë lokale dhe tregut të lirë në do të ndërtojmë  tre zona të lira ekonomike.  Në zonën e Kërrabës , Arbanës dhe Ndroqit.

Ne jemi për një Tiranë, që kujton dhe respekton sakrificën e atyre njerëzve që dhanë jetën në kohën e komunizmit, ku falë sakrificës së tyre ne sot jetojmë në pluralizëm. Për këtë, do të ndërtojmë muzeun dhe monumentin në nderim të të gjithë viktimave të regjimit komunist. Është një turp që në  Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë, nuk ka ende një monument dhe muze të mirëfilltë për viktimat e komunizmit. Aq më shumë është turp që e djathta në 33 vite se ka ndërtuar atë.

Ne jemi për një Tiranë, që zbaton dhe i afrohet normave europiane të mjedisit dhe ajrit  deri në fund të mandatit , 350 mikro grimca m3. Dhe jo për një Tiranë, ku smogu dhe ndotja po u merr jetën njerëzve duke shkaktuar sëmundje nga më të ndryshmet. 60 përqind më shumë është rritur vdekshmëria si pasojë e dëmtimit të rrugve të frymëmarrjes në Tiranë, sipas të dhënave të shëndetësisë dhe ekspertëve të saj në Tiranë.

Ne jemi për një Tiranë ku të gjithë kanë mundësi të strehoren. Dhe këtë gjë mund ta bëjë të mundur ulja e barrës fiksale dhe lufta kundër parave të pista në ndërtim. Shtrenjtimi i pronave  nuk tregon aspak zhvillim siç thotë  Erion Veliaj. Përkundrazi, tregon pamundësi jetesë për shumicën e njerëzve dhe familjeve që jetojnë në tiranë apo çifteve të reja, që u duhen tre jetë për të blerë një apartament. Rritja e çmimve e cila nuk përputhet me rritjen e rrogave dhe ekonomisë, tregon se këto apartamente janë apartamente që ndërtohen nga paratë e korrupsionit dhe të krimit të cilat kanë prishur cdo rregull të ekonomisë së tregut dhe normalizimit të çmimeve.

Ne jemi për një Tiranë ku shërbimet shëndetësore, klinikat e ndryshme  mos të jenë më shumë se 15 minuta larg cdo familje.

Ne jemi për një Tiranë, ku turizmi është për gjatë gjithë vitit dhe i shumëllojshëm. Dhe për këtë, do do të ketë zero taksa ndaj sipërmarrjeve turistike bujtinave dhe startupeve për turizmin në pesë vitet e para.

Ne jemi për një Tiranë ku  transporti publik është i kronometuar,  sic ndodhë në të gjitha qytetet europiane dhe ndërtimin  e pesë parkimeve të mëdha në hyrje të Tiranës për të zbutur trafikun brenda qytetit.

Ne jemi për një tiranë ku zonat e ndryshme historike , ajo otomane, ajo para luftës, e komunizmit dhe asambali arkitekturor i qendrës të përbëjnë zonat e trashëgimisë kulturore të Tiranës.

Ne jemi për një Tiranë ku dallohen qartësisht pesë zonat urbanistike. Zonat industriale, spitalore, universitare, moderne me kulla  dhe  ajo historike. Dhe jo për një Tiranë kaotike siç është sot, ku nuk kuptohet asgjë dhe që ka reflektuar një mungesë identiteti total dhe, ku reflektohet mungesa e çdo standardi europian për një qytet të banueshëm dhe efikas nga ana ekonomike,  sociale dhe urbanistike. Ne nuk jemi kundër ndërtimit dhe zhvillimit. Industria e ndërtimit përbën një pjesë të rëndësishme të ekonomisë së Tiranës dhe Shqipërisë, ku punësohen mijëra njerëz. Por ne jemi për një qytet ku çdo sektor ka zonën e vet të mirëpërcaktuar, që edhe ekonomia të zhvillohet, dhe njerëzit e punësohen, por edhe që qyteti të jetë i jetueshëm me identit dhe me hapësirat përkatëse sipas funksioneve.

Këto janë 15 premtimet  të miat dhe të stafit tim për  Tiranën. Vizionin tonë, planin tonë për Tiranën, ne do t’ja u bëjmë të ditur të gjitha grupeve të interesit dhe qytetarëve të Tiranës në ditët në vazhdim. Për të gjithë këto arsye , vizioni ynë, është Frymëmarrje për Tiranën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA