Ministrja Xhaçka takim me homologun kroat: Në fokus çështjet e bashkëpunimit në fushën e integrimit

18/04/2023 12:13

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashme, Olta Xhaçka ishte sot në një takim me homologun kroat Gordan Grilc-Radman, ku diskutuan për zgjerimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Xhaçka e quajti vizitën e homologut si shprehje të vullnetit të përbashkët për të zhvilluar partneritetin, ndërsa uroi Koracinë për hyrjen në zonën Shengen.

“Diskutuam sesi mund të zgjerojmë e thellojmë më tej marrëdhëniet mes vendeve tona. Vizita e homologut Radman, shprehje e vullnetit të përbashkët për të zhvilluar më tej partneritetin tonë. Urime Kroacisë për hyrjen në Eurozonë dhe në Schengen. Arritjet e Kroacisë pas anëtarësimit në BE, na bëjnë optimistë që përpjekjet për kryerjen e reformave shpërblehen”, tha Olta Xhaçka.

Ministrja theksoi se në fokus ishte fusha e integrimit në BE dhe se Kroacia mund të jetë një mbështetëse e procesit.

“Çështjet e bashkëpunimit në fushën e integrimit, në fokus të axhendës tonë dypalëshe. Kroacia do të vijojë të jetë një mbështetëse e parezervë e procesit tonë të integrimit në BE. Jo vetëm politikisht, por edhe me ekspertizë teknike konkrete”, tha ajo.

Ndër të tjera u diskutua për aktivitete mes dy vendeve, bashkëpunim ekonomik dhe tregtar, investime dhe lidhje ajrore dhe detare.

“Diskutuam edhe për një numër aktivitetesh që do të organizohen për herë të parë, si takimi i përbashkët i dy qeverive. Vlerësuam trendin rritës të shkëmbimeve mes dy vendeve tona. Duhet të punojmë më shumë për të zhvilluar më tej bashkëpunimin tonë ekonomik dhe tregtar.  Mirëpresim investime të mëtejshme kroate dhe projekte në sektorë të ndryshëm. Konstatuam nevojën për vendosjen e lidhjeve ajrore e detare ndërmjet vendeve tona. Sugjeruam mbajtjen e takimit të 6-të të Komisionit të Përbashkët Ekonomik dhe të një Forumi Biznesi”, u shpreh ministrja.

Xhaçka shprehu mirënjohje për mbështetjen ndaj Kosovës dhe e quajti bashkëpunimin, kyç për të përballuar sfidat dhe për ta bërë atë, në të mirë të rajonit.

“Zhvillimet gjeopolitike në Evropë, vendet tona mbështesin plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.  Konstatuam nevojën për të forcuar bashkëpunimin tonë dypalësh, me fqinjët e njëmendtë në rajon dhe partnerët tanë.  Bashkëpunimi mes nesh, kyç për të përballuar me sukses sfidat e sigurisë të të gjitha dimensioneve. Vlerësim për mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia i ka dhënë dhe i jep Kosovës. Do të punojmë akoma më shumë për të çuar përpara bashkëpunimin mes nesh, në të mirë të rajonit”, përfundoi ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA