Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës, Erion Veliaj shpërndau certifikata mirënjohjeje për socialistët me kontribut të veçantë ndër vite në Njësinë 10 në kryeqytet.

“Partia Socialiste ka fituar 8 nga 9 betejat e fundit, një rekord që nuk e ka asnjë parti tjetër në rajonin tonë apo në Europë. Ne jemi e vetmja parti që mirënjohjen e kemi në statutin e partisë, ku mirënjohja, respekti e vlerësimi publik për të gjithë ata njerëz që kanë dhënë një kontribut në këto fitore po materializohet, dhe sot fillojmë një traditë që dua ta vazhdoj në të gjitha njësitë”, tha Veliaj.

Veliaj u ndal edhe tek kandidatët për zgjedhjet lokale të 14 Majit, për të cilët tha se janë pothuajse të gjithë të majtë.

 “E keni vënë re, në këtë fushatë, pothuajse të gjithë kandidatët janë të majtë? Kemi kandidatë nga Partia Socialiste, kemi një nga Partia Komuniste, kemi një nga një lëvizje marksiste, kemi një që hiqet sikur është me Saliun, por është regjistruar me LSI. E kishit menduar se një ditë, edhe Flamur Noka do regjistrohej si anëtar i Partisë Komuniste vetëm për të futur një kandidat në Tiranë?!”, shtoi Veliaj.

Fushata e kandidatëve kundërshtar sipas kryetarit të Partisë Socialiste të Tiranës po bëhet me ide të majta vetëm për disa vota.

“Ata e dinë që nuk fitojnë, megjithatë shansi për të marrë disa vota është duke folur majtas, duke menduar majtas, duke bërë fushatë majtas, duke u investuar në ide të majta. Kjo është një gjë e mirë për vendin tonë, se pothuajse e gjithë klasa politike është e orientuar në një diskutim majtas. Sot ti ke edhe të drejtën të marrësh të gjithë idetë e majta, madje të shkosh edhe më larg se Enveri dhe të thuash ‘do ta bëjmë çdo gjë falas’. Tortën falas, taksitë falas, avionët falas,” tha kryebashkiaku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA