Sali Berisha ishte sot në Gramsh, ku prezantoi për zgjedhësit kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Hasim Çekrezin.
“Është nder i veçantë, kënaqësi e madhe të flas para jush, të vij këtu, për të paraqitur dhe mbështetur kandidatin tonë, për kryetar të bashkisë së Gramshit, për qytetarin tuaj të parë, Hasim Çekrezin.
Hasim Çekrezi është një nga personalitetet më të shquara të Gramshit, një nga qytetarët më shembullorë, një nga bijtë që do më shumë Gramshin dhe qytetarët e tij. Një njeri që përfaqëson vlerat më të arrira tuaja dhe mbarë qytetarëve të Gramshit. Por unë vij sot, me krenari të veçantë sepse paraqes para jush, njeriun që ju keni zgjedhur, kandidatin tuaj, kandidatin e votës tuaj të lirë, e ujdisë tuaj të brendshme, e marrëveshjes tuaja me votën, me lirinë. Pra asnjëherë nuk kam paraqitur në këtë rreth dhe askërkund ku do të shkoj, kandidat më dinjitozë se sa paraqesim kësaj radhe”, tha Berisha në fjalën e tij.
Duke përmendur investimet që janë bërë në qyetetin e Gramshit, ish-kryeministri u shpreh se qytetarët nuk kanë përfituar asgjë nga këto projekte.
“Çfarë përfitoi Gramshi nga ndërtimi i hidrocentralit. Pas përfundimit të punimeve, asnjë qindarkë sepse e zhduku rentën. Në vend që tu linte ju, e kudo autoriteteve lokale, rentën për minierat, ujërat e të gjitha, aktin e parë, një nga aktet më pa moralë, hoqi rentën për të ngrohur xhepin vetes dhe oligarkëve të tij”.
Berisha nuk kurseu kritikat për fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste. Rama ka marrë lopatën për të mbjellë pemë, por po përpiqet të mbulojë vjedhjen e me 1 milionë pemët në Tiranë, tha Berisha.
“E keni vënë re ju, ka kapur lopatën tani dhe kalojnë nga rrethi në rreth me lopatë në dorë se gjoja po mbjellin pemë. Prisni, me dheun e asaj lopate ai në radhë të parë do të ju hedhë hi syve qytetarëve, se nuk është i zoti të ballafaqohet në asnjë rast me asnjë kandidat tonë në asnjë bashki.
Sille atë, sille këtu. Të ju pyes një gjë. A duhet që të përballemi në televizor njëri me tjetrin dhe të ua themi të vërtetat njëri-tjetrit para jush. Këta se pranojnë, nuk ka kandidat të tyre. Këta janë si hije, nuk dalin në asnjë ekran televiziv. Dhe pastaj merr lopatën dhe mendon se do të ju mashtrojë me lopatën”.
Top Channel