Në një fjalim para ligjvënësve në shtetin amerikan të Arizonës, në mars të vitit 2022 – vetëm disa javë pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës – Vladimir Kara-Murza akuzoi “regjimin diktatorial të Kremlinit” për kryerje të “krimeve të luftës”.

Njëri nga kritikët më të zëshëm të presidentit rus, Vladimir Putin, u dënua të hënën e 17 prillit me 25 vjet heqje lirie nga një gjykatë në Moskë.

Akuzat për tradhti dhe vepra të tjera, vetë Kara-Murza i hodhi poshtë dhe i cilësoi si të motivuara politikisht.

Por, revolta e tij kundër Kremlinit ka nisur shumë kohë përpara se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës.

Me profesion historian, ai i ka paralajmëruar vazhdimisht liderët perëndimorë që të mos “zbuten” me Putinin, duke i krahasuar metodat e tij për “çmontimin e demokracisë dhe lirisë” me ato të diktatorit fashist italian, Benito Musolini.

Kara-Murza ka luajtur një rol udhëheqës – së bashku me mentorin e tij, Boris Nemtsov, i cili është vrarë në vitin 2015 – për të bindur Kongresin e SHBA-së që të miratojë një legjislacion të sanksioneve, që do t’i shënjestronte zyrtarët e korruptuar dhe abuzuesit e të drejtave të njeriut në Rusi, përfshirë njerëzit e afërt me Putinin.

Puna e tij në avancimin e Aktit Magnitsky të vitit 2012, i cili i jep presidentit të SHBA-së autoritet për të ngrirë asetet amerikane të zyrtarëve të Qeverisë ruse dhe të biznesmenëve të akuzuar për shkelje të rënda, i ka kushtuar gati dy herë me jetë.

Kara-Murza është shtruar në spital në gjendje të rëndë në vitin 2015 dhe në vitin 2017, nën dyshimet se është helmuar qëllimisht derisa ka qenë në Rusi.

Autoritetet amerikane i kanë hetuar sëmundjet e tij si helmime të qëllimshme, kanë treguar dokumentet e Departamentit amerikan të Drejtësisë, të shqyrtuara ekskluzivisht nga Radio Evropa e Lirë në vitin 2020.

Të dhënat e Qeverisë amerikane kanë treguar gjithashtu se mjekët e kanë shqyrtuar mundësinë që ai të ketë qenë i helmuar me biotoksinë ose substancë radioaktive.

Kara-Murza ka besuar se ai ka qenë në shënjestër për shkak të mbështetjes së tij për Aktin Magnitsky. Ai ka thënë se Kremlini i Putinit u frikësohet vetëm protestave në rrugë më shumë se sanksioneve.

Kremlini ka lobuar shumë në Shtetet e Bashkuara në vitet 2010, për të bllokuar dhe më pas për të përmbysur Aktin Magnitsky, por pa sukses.

Legjislacioni ka marrë emrin e një avokati rus, i cili ka vdekur në një burg në Moskë, pasi ka ekspozuar disa prova të mashtrimit masiv tatimor, që kanë përfshirë edhe zyrtarë rusë.

Duke folur për Aktin Magnitsky në Kongresin amerikan, Kara-Murza e ka cilësuar atë si legjislacion “pro-rus” që godet drejtpërdrejt bashkëpunëtorët e Putinit.

Vendet e tjera perëndimore kanë miratuar më pas legjislacione të ngjashme, duke i dhënë goditje të reja regjimit rus.

Në mesin e njerëzve të parë që janë sanksionuar me Aktin Magnitsky, ka qenë Sergei Podoprigorov, gjykatës në gjyqin e Kara-Murzës.

Pas miratimit të Aktit Magnitsky, Kara-Murza ka vazhduar t’i inkurajojë Shtetet e Bashkuara që të rrisin numrin e rusëve që u nënshtrohen sanksioneve.

Ndihmësi i Nemtsovit

Kara-Murza ka qenë politikisht aktiv prej se ka qenë adoleshent.

Në vitin 2000, derisa ka studiuar në Mbretërinë e Bashkuar, ai është bërë ndihmës i Nemtsovit – një nënkryetar liberal i Dhomës së Ulët të Parlamentit rus, i cili ka shërbyer edhe si zëvendëskryeministër i parë nën presidentin rus, Boris Yeltsin.

Nemtsov, i cili ka udhëhequr Bashkimin e Forcave të Djathta (SPS) – një koalicion partish demokratike – ka humbur ulësen e tij në zgjedhjet parlamentare të vitit 2003, pasi Putin ka shfrytëzuar kontrollin në rritje të shtetit – përfshirë median – për të shtypur opozitën.

Kara-Murza ka mbetur i afërt me Nemtsovin – një nga kritikët më të hapur të Putinit – deri në vrasjen e tij në shkurt të vitit 2015.

Nemtsov ka qenë në proces të organizimit të një proteste kundër aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, kur është qëlluar për vdekje në një urë pranë Kremlinit.

Kara-Murza ka bërë përpjekje ta mbajë gjallë trashëgiminë e Nemtsovit. Ai ka marrë pjesë aktive në protestat masive që kanë shpërthyer në Moskë, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2011. Protestat kanë qenë më të mëdhatë në atë kohë, që nga ardhja e Putinit në pushtet në vitin 1999.

Më vonë, Kara-Murza i është bashkuar Rusisë së Hapur, një organizatë jofitimprurëse që promovon shoqërinë civile dhe demokracinë, duke financuar projekte të ndryshme.

Rusia e Hapur është themeluar nga Mikhail Khodorkovsky, një manjat i naftës dhe kundërshtar i vendosur i Putinit, i cili është burgosur për 10 vjet nën akuzat për evazion fiskal.

Derisa ka marrë pjesë aktive në lëvizjen opozitare të Rusisë, Kara-Murza ka ndjekur edhe gjurmët e babait të tij, i quajtur gjithashtu Vladimir Kara-Murza. Ai ka qenë një nga gazetarët më të shquar të Rusisë dhe ka punuar edhe për Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë.

Kara-Murza ka punuar si gazetar për gazeta të ndryshme ruse në fillim të viteve 2000, ndërsa ka magjistruar në Histori në Universitetin e Kembrixhit.

Më vonë, ai është transferuar në Uashington, ku ka shërbyer si shef zyre për RTVi-në, një kompani globale mediatike në gjuhën ruse. Ai e ka mbajtur atë detyrë deri në vitin 2012.

Gjatë kohës së tij në Uashington, Kara-Murza ka zhvilluar marrëdhënie të mira me zyrtarë amerikanë, përfshirë senatorin tashmë të ndjerë, John McCain – një nga kritikët më të ashpër të Putinit.

McCain e ka cilësuar Kara-Murzën si “një nga mbështetësit më të pasionuar dhe më efektivë të Aktit Magnitsky”.

Kara-Murza ka vazhduar të flasë kundër shtypjes në rritje brenda Rusisë dhe ka dënuar hapur pushtimin rus të Ukrainës, edhe pasi Kremlini e ka bërë të jashtëligjshme një kritikë të tillë.

“Errësira do të zhduket”

Në prill të vitit 2022, ai është arrestuar dhe akuzuar për përhapjen e “informacionit të rremë” në lidhje me Forcat e Armatosura të Rusisë.

Më vonë, në gusht, autoritetet ruse e kanë shtuar akuzën për përfshirje në një organizatë të huaj “të padëshirueshme”, ndërsa dy muaj më vonë edhe një akuzë për tradhti, për shkak të komenteve të tij në Arizonë.

Ai e ka krahasuar gjyqin e tij – i cili është zhvilluar me dyer të mbyllura – me gjyqet sovjetike të viteve 1930, nën diktatorin Josef Stalin.

Në deklaratën përfundimtare më 10 prill, që është botuar në Washington Post, Kara-Murza i ka thënë gjykatësit se nuk është penduar për veprimet e tij, porse, përkundrazi, është “krenar” për to.

Ai ka thënë se është i sigurt se “do të vijë dita kur errësira mbi vendin tonë do të zhduket… kur një luftë do të quhet luftë dhe një uzurpator – uzurpator”.

Ai, po ashtu, ka thënë se mezi e pret ditën “kur ata që e ndezën këtë luftë, dhe jo ata që u përpoqën ta ndalin atë, do të njihen si kriminelë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA