Rritja pozitive e të ardhurave në buxhet nxitur kryesisht nga rritja e çmimeve ka frenuar në muajin shkurt.

Ministria e Financave në statistikat e saj fiskale bën me dije se të ardhurat nga tatimet dhe doganat në muajin shkurt ishin 262 milionë lekë më pak se e njëjta periudhë vitin e kaluar ose një rënie me 6.7%.

Nga nënzërat e këtyre taksave, ajo që vihet re se ka marrë goditjen më të madhe është tatimi mbi vlerën e shtuar, një tregues i drejtpërdrejtë i konsumit. Te ky zë duket se ka ndikuar dhe inflacioni i lartë që gjatë shkurtit të 2023-it ishte në nivelin 7.1%, ndërsa një vit më parë qëndronte në 3.9%.

Por, ndërkohë buxheti këtë vit ka arritur të vjelë të ardhura rekord nga një tjetër zë që është tatimi mbi fitimin. Kjo formë të ardhurash mblidhet nga fitimet e bizneseve, të cilat kanë derdhur të ardhurat më të larta në 10 vitet e fundit tek tatimet. Edhe nënzërat e tjerë kanë ardhur me rritje si sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, por edhe ajo e tatimit mbi të ardhurat personale. Kjo vjen në të njëjtën linjë edhe me uljen e papunësisë në vend, ndërsa tregu gjithnjë e më shumë kërkon punonjës.

Taksat e mbledhura nga bashkitë ndërkohë kanë një rënie të dukshme në dy muajt e parë të vitit, me 42.6% më pak.

Me rënie ka ardhur edhe importi i karburanteve në vend edhe pse çmimet janë ulur në krahasim me një vit më parë. Në 2 muajt e parë të vitit janë rreth 82 mijë ton që kanë ardhur në vend ose 6.5% më pak se një vit më parë.

Rënia e te ardhurave nga TVSH-ja është një sinjal i fortë për qeverinë, pasi ky zë përbën rreth 33% të të gjithë të ardhurave buxhetore. Gjithashtu, rënia e TVSH-së tregon edhe ngadalësimin e konsumit në vend, ndërsa FMN në 2022 e renditi Shqipërinë te parafundit për pakot mbështetëse ndaj shtresave në nevojë. Bonusi për pensionistët në prill dhe rritja e pagës minimale pritet të frenojnë këtë trend negativ, ndërsa qeveria përpiqet të mbajë ritmin e të ardhurave rekord nga vitit 2022.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA