Veliaj: Mos votoni non-gratat! Vetëm duke ecur përpara mund të bëjmë punë të mira

15/04/2023 17:05

Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ishte në Krrabë, Petrelë dhe Bërzhitë, ku zhvilloi një takim me banorët e zonave, si dhe vuri në dukje se periferia e Tiranës sot është transfomuar dhe nuk konsiderohet më si fundi i botës.

Duke marrë si shembull Krrabën, Veliaj tha se ajo njihej vetëm nga lapidari, kurse sot me rrugën e re vjen shumë shpejt. “Kur ti thoje do shkoj lart në Hekal, dukej sikur po shkoje ushtar. Në Pëllumbas shkonin vetëm ata që bënin ekskursion. Krejt papritur, e gjithë kjo zonë që quhet “Malësia e Tiranës”, sot është bërë bahçja m’u përpara shtëpisë së Tiranës dhe po lulëzon nga aktivitetet. Kjo do të thotë se duke ecur përpara dhe duke punuar mund të bëjmë gjërat që kemi bërë sot,” u shpreh ai.

Veliaj kërkoi nga banorët që të votojnë Partinë Socialiste për të ecur përpara me investimet, jo për t’u kthyer pas tek ata që sot nuk shkojnë dot as deri në Rinas se janë ‘non grata’.

“Ata e kanë një hall se nuk marrin dot vizë amerikane. Por, ky nuk është halli ynë, që dikush nuk shkon dot deri në Rinas. Nuk është as faji ynë që i vunë flakën Gërdecit dhe hodhën njerëzit në erë nga babëzia. Nuk është faji ynë që dikush vrau njerëz me plumba në mish, në Bulevard, të paarmatosur, pa u futur fare te rrethi i Kryeministrisë. Ky është problemi i tyre, është halli i tyre. Po të kishin ata hallet e njerëzve, do kishin ardhur ta bënin rrugën edhe në Krrabë, edhe në Mushqetë, do kishin ardhur të bënin rrugën edhe në Hekal, do kishin ardhur të bënin edhe qendrën në Qeha, do e kishin bërë edhe shkollën “Feti Fanaj”. Për të gjithë këto arsye, miqtë e mi është shumë e rëndësishme të kuptojmë se çfarë fuqie ka vota jonë”, deklaroi Veliaj.

Ai theksoi se PS po e dëshmon duke bërë një fushatë me mbjellje pemësh se nuk dëshiron të mbjellë sherr e përçarje siç bëjnë kundërshtarët.

“Sot shumë njerëz thonë: “Ju jeni partia më e madhe në Shqipëri, keni fituar 8 nga 9 zgjedhjet e fundit, pse nuk i bëni edhe ju këto tam-tamet, pse nuk e bëni edhe ju këtë zhurmën, këtë gjullurdinë, pse nuk paguani edhe ju lekë në Facebook, pse nuk merrni edhe stadiumin me qira? Por, vendimi i PS është të mbjellim gjelbërim, të mos mbjellim sherr, të mbjellim ajër të pastër dhe jo frymë dhe fjalë të ndotura, të mbjellim diçka që i ngelet për mirë komunitetit dhe jo një shije të hidhur të ofendimeve dhe goditjeve nën brez. Unë besoj se ky ishte vendimi i duhur”, tha Veliaj.

Ai tha se Partia Socialiste është forca më e madhe, më patriotike dhe më e vendosur për të transformuar qytetet dhe për t’i ngritur kokën lart Shqipërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA