Emrat/ Konflikti në TikTok që degradoi në përdorimin e armës, cilët janë katër personat e përfshirë

15/04/2023 10:15

Katër persona janë përfshirë në konfliktin që nisi në Tik Tok dhe degradoi në përdorimin e armës në Durrës.

Paraprakisht dyshohet se të rinjtë janë plagosur nga një plumb rikoshet që është qëlluar mbi automjetin e tyre nga personi me të cilin kishin shkuar të sqaroheshin pas një sherri në TikTok.

Policia ka shpallur në kërkim Klajdi Mancakun, 25-vjeç, pasi  dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të Mario Vrionit me të cilin kishte debatuar online dhe në telefon e më pas kishin lënë takim që “të sqaroheshin”. Burime policore bëjnë të ditur se dy të rinjtë e përfshirë në konflikt njihen si problematikë.

Nga të shtënat mbeti i plagosur kushëriri i Marios i  identifikuar nga policia si Jurgen Vrioni dhe shoku i tyre Arben Haxhiu. Pas ndihmës mjekësore Jurgen Vrioni ka dalë nga spitali, ndërsa  Arben Haxhiu vijon të jetë  në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja u regjistrua në lagjen nr. 10 të Durrësit, pas mesnate.

Policia vendore bën me dije se rreth orës 01:15 të së shtunës, në lagjen nr. 10,  për shkak të një konflikti të nisur në rrjetin social TikTok, shtetasi Klajdi Mancaku, 25 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri dhe si pasojë, janë dëmtuar lehtë dy 21-vjeçarët Jurgen Vrioni dhe Arben Haxhiu, të dy banues në lagjen nr. 12.

Nga hetimet e para rezulton se autori i dyshuar, rreth orës 22.30, të mbrëmjes së djeshme ka debatuar në telefon me Mario Vrionin dhe i ka lënë takim për t’u sqaruar në afërsi të shtëpisë së Vrionit.

Duke ndjerë rrezikun, Mario ka marrë kushëririn e tij, Jurgenin  dhe shokun e tyre të përbashkët Arben Haxhiun për t’u ballafaquar me Mansakun. Kur ka shkuar në vendin ku e kishin lënë takimin, sipas deklaratës së tyre, Mansaku, që njihet dhe si shok i reperit Klevio, sapo i ka parë që janë afruar, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të makinës së  Mario Vrionit, dhe është larguar menjëherë.

Dyshohet se dy të rinjtë u plagosën lehtë nga një plumb rikoshet.

E ndërsa po punohet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, policia ka ngritur pika kontrolli, në akset rrugore dhe po ushtrohen kontrolle në banesa e ambiente ku dyshohet se mund te fshihet 25-vjeçari. Gjithashtu janë njoftuar pikat e kalimit kufitar për të mos lejuar largimin e tij jashtë vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA