Pas përfundimit të rrugës së re, e cila e shkurton me 30 minuta distancën nga Tirana, në Zall-Bastar ka nisur puna për ndërtimin e urës, e cila ndihmon të gjithë banorët e zonës.
Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet në urën e re dhe theksoi se kjo dëshmon se vetëm me bashkëpunim vendi mund të ecë përpara.
Ai shtrëngoi duart edhe me banorët e zonës, ndërsa nënë Zyraja e falenderoi për vëmendjen e treguar ndaj familjeve aty. “Ju falenderoj jashtë mase. Keni punuar me mish e me shpirt. Rrugën e bëtë si në qytet”, tha ajo.
Veliaj shtoi se është e rëndësishme që punët të ecin përpara sepse Tirana nuk ka kohë të kthehet mbrapa. “Në qoftë se merremi me muhabete ‘më the e të thashë, i kujt je ti, e lagu, s’e lagu’, atëherë shkojmë vetëm mbrapa. Ju më keni mbështetur dhe ju falenderoj me gjithë zemër”, u tha banorëve Veliaj.
Ai theksoi se projektet që po transformojnë edhe fshatrat më të largët të Tiranës janë arritur edhe falë bashkëpunimit me qeverinë. “Po të ishim ende me taksat e komunës, kjo urë nuk bëhej as për 60 vjet. Se këta thonë “kullat-kullat”, po patjetër, ai që bën kullën do paguajë një çikë më shumë taksa dhe me lekët e taksave të tij do bëjmë rrugën e Zall-Bastarit”, tha Veliaj.
Ai shtoi se ura e re do përfundojë brenda verës, edhe pse afati i punimeve është në muajin tetor.
Top Channel