Samiti i Bukureshtit/ Ukraina i kërkon NATO-s të sigurojë Detin e Zi dhe të integrojë mbrojtjen

13/04/2023 18:30

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, gjatë Samitit të Bukureshtit i kërkoi NATO-s të luajë një rol më të madh në sigurinë në Detin e Zi dhe të bashkojë mbrojtjen e saj ajrore e raketore me atë të vendit të tij.

Kuleba tha se ishte koha për ta kthyer Detin e Zi në atë që është bërë Deti Baltik, një det i NATO-s.

“Ne duhet të trajtojmë së bashku problemin e përbashkët të Rusisë. Për shembull, unë mbështes idenë e ekspertëve për të integruar sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketore të Ukrainës me ato të aleatëve të NATO-s në Detin e Zi dhe Baltik”, tha ai.

Deti i Zi, në jug të Ukrainës, ka qenë një teatër vendimtar lufte pasi si Kievi ashtu edhe Moska e përdorin atë për tregti,  duke përfshirë eksportet jetike të grurit në pjesën tjetër të botës.

Rusia bllokoi portet vitin e kaluar, që kur nisi lufta në Ukrainë, duke kërcënuar dërgesat e grurit.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e hodhi poshtë thirrjen dhe deklaroi se Deti i Zi nuk mund të jetë kurrë një det i NATO-s.

“Ky është një det i përbashkët, duhet të jetë një det bashkëpunimi, ndërveprimi dhe sigurie për të gjitha shtetet e tij bregdetare. Dhe kjo siguri është e pandashme”,u shpreh ai.

Zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, nuk u përgjigj drejtpërdrejt, por u shpreh se ka aleanca kishte vazhduar të rrisë praninë e saj në rajonin e Detit të Zi.

Ukraina dëshiron t’i bashkohet NATO-s – e cila kohët e fundit u zgjerua në 31 anëtarë kur Finlanda u bashkua këtë muaj. Rumania, Ukraina dhe Moldavia nënshkruan gjithashtu marrëveshje bashkëpunimi, të krijuara për të nxitur bashkëpunimin politik, ekonomik dhe të sigurisë, në takimin e sotëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA