SHBA beson se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së “është shumë i gatshëm të akomodojë interesat ruse”, sipas të dhënave të zbuluara nga dokumentet e klasifikuara në internet.
Dosjet sugjerojnë se Uashingtoni ka monitoruar nga afër Antonio Guterres. Madje, disa dokumente përshkruajnë edhe komunikimet private të Guterres dhe zëvendësit të tij. Këto janë materialet e fundit të bëra publike nga rrjedhja e dokumenteve sekrete të luftës në Ukrainë, të cilat zyrtarët e Pentagonit po përpiqen t’i arrijnë deri në fund.
Dokumentet përmbajnë vëzhgimet e Guterres për luftën në Ukrainë dhe një numër liderësh afrikanë. Një dokumentet e bëra publike fokusohet në marrëveshjen e grurit të Detit të Zi, ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia në korrik pas frikës së një krize globale ushqimore.
Sipas materialit, thuhet se Guterres ishte aq i prirur për të ruajtur marrëveshjen me Moskën, sa për të arritur diçka të tillë ishte i gatshëm të akomodonte edhe interesat e Rusisë.
“Guterres theksoi përpjekjet e tij për të përmirësuar aftësinë e Rusisë për të eksportuar”, thuhet në dokument, “edhe nëse kjo përfshin subjekte ose individë të sanksionuar rusë”.
Veprimet e Guterres në shkurt, sipas vlerësimit të bërë nga dokumenti, po “minonin përpjekjet më të gjera për ta mbajtur Moskën përgjegjëse për veprimet e saj në Ukrainë”.
Zyrtarët e OKB-së nxitën shqetësim me sugjerimin se diplomati më i lartë i botës po tregohej i butë ndaj Moskës. Megjithëse nuk donte të komentonte mbi dokumentet e zbuluara, një zyrtar i lartë tha se OKB-ja për qëndrimin e saj ishte “e shtyrë nga nevoja për të zbutur ndikimin e luftës tek më të varfërit në botë”.
“Kjo do të thotë të bëjmë atë që mundemi për të ulur çmimin e ushqimit,” shtoi ai, “dhe për të siguruar që plehrat të jenë të aksesueshme për ato vende që kanë më shumë nevojë për të.”
Rusia është ankuar shpesh se eksportet e saj të grurit dhe plehrave po ndikohen negativisht nga sanksionet ndërkombëtare dhe ka kërcënuar të paktën dy herë të pezullojë bashkëpunimin me marrëveshjen e drithit nëse nuk adresohen shqetësimet e saj.
Drithërat dhe plehrat ruse nuk janë subjekt i sanksioneve ndërkombëtare, por Rusia thotë se ka përjetuar vështirësi me sigurimin e transportit dhe sigurimit. Zyrtarët e OKB-së janë qartësisht të pakënaqur me interpretimin e Amerikës për përpjekjet e Guterres. Dhe ata thonë se zoti Guterres e ka bërë shumë të qartë kundërshtimin e tij ndaj luftës së Rusisë.
Top Channel