72 sulme ruse kanë zmbrapsur forcat ukrainase sipas zyrtarëve në Kiev, komentet e të cilëve vijnë në një kohë kur vazhdon intensive beteja për qytetin tashmë thuajse të rrënuar të Bakhmutit, por të konsideruar me rëndësi strategjike për të dyja palët.
“Pavarësisht humbjeve të mëdha të pajisjeve dhe ushtarëve, armiku nuk po heq dorë nga lufta e agresionit. Po vazhdon të përqendrojë përpjekjet kryesore në kryerjen e operacioneve të ofensivës në zonat e Limanit, Bahmutit, Avdivit dhe Marinit”, njoftoi Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase më 12 prill. Beteja për Bakhmutin e gjendur në rajonin lindor të Donjeckut, është shndërruar në një ndër më të përgjakshmet që prej fillimit të pushtimit rus në Ukrainë shkurtin e vitit të kaluar.
Nga ana tjetër, udhëheqësi i Krimesë, i emëruar nga Moska, njoftoi se forcat ruse në këtë gadishull po përgatiten për një kundërofensivë të afërt ukrainase. Sergei Aksyonov u tha gazetarëve se kanë ngritur objekte “mbrojtëse moderne” dhe kanë trupa dhe pajisje mëse të mjaftueshme për të zmbrapsur një ofensivë të mundshme të palës tjetër.
“Ne nuk mund ta nënvlerësojmë armikun, por mund të themi se jemi gati (për një sulm) dhe se nuk do të ketë katastrofë”, tha ai. Komentet e tij erdhën disa ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy përsëriti synimin e Kievit për të rimarrë gadishullin e Detit të Zi që Rusia e aneksoi ilegalisht nga Ukraina në vitin 2014. Analistët ushtarakë presin që Kievi të përfitojë nga përmirësimi i motit dhe armët e reja nga perëndimi, duke përfshirë një numër tankesh dhe trupa të reja të trajnuara në Perëndim.
Top Channel