“Kateri i Radës” u nis drejt Italisë, një javë pasi ishte firmosur marrëveshja. Ishte ora 16:40 e një pasditeje me diell.
Shumë shpejt, udhëtimi i shpresës do të kthehej në udhëtimin e fundit për pjesën dërrmuese të pasagjereve.
Krenar Xhavara u ngjit në këtë anije me gruan e tij dhe vajzën 6 muajshe. Në këtë udhëtim ishte edhe i vëllai Vironi, bashkë me gruan dhe tre fëmijët. Të dy burrat qëndruan në kuvertën e anijes, ndërsa bashkëshortet zbritën poshtë në kabinë që të mbronin fëmijët nga i ftohti.
Dy vëllezërit arritën të shpëtonin, por, që të dy humbën familjet. Krenari, edhe sot pas 26 vitesh nuk mund të harrojë asnjë detaj nga ai udhëtim fatkeq ku iu shuan dy familje të zemrës.
Ai rrëfen se vetëm pak minuta pas nisjes, në afërsi të “Sazanit” ata janë pikasur nga korveta “Zeffiro” që kishte marrë pjesë edhe në luftën e gjirit Persik. Kjo anije i ka ndjekur në ujërat shqiptare për rreth një orë e gjysëm, ndërkohë që kishte edhe një helikopter që patrullonte në ajër dhe u lëshonte dritat.
“Ajo na bënte thirrje me një megafon: “Klandestini kthehuni prapa”. Ne nuk e konsideronim veten si klandestinë dhe ishim mbi 100 veta, kur ligji ndërkombëtar thotë se mbi 100 vetë i gjykon njëherë kërkesat në tokë dhe pastaj merr vendimin për ta kthyer,” u shpreh i mbijetuari “Kateri I Radës”, Krenar Xhavara.
Referuar dosjes hetimore të autoriteteve italiane, anija është pikasur nga korveta italiane rreth orës 17:15 në afërsi të Sazanit. “Zeffiro” asokohe ishte angazhuar në operacion e përbashkët “Flamujt e Bardhë” mes Shqipërisë dhe Italisë.
Pas refuzimit të emigrantëve për tu kthyer pas, “Zeffiro” lajmëroi rojat bregdetare Italiane. “Kateri i Radës” do të ndiqej nga korveta ushtarake “Sibila”, rreth 87 metra e gjatë dhe 11 metra e lartë.
Urdhrat ishin të qartë: “Harasment” që do të thotë të përdorej protokolli i thyerjes së embargos. Anija shqiptare duhet të ndiqej për një kohë të pacaktuar dhe të kthehej me çdo kusht sërish në brigjet shqiptare.
Sibila ishte një makineri lufte e vërtetë, lëvizte me shpejtësi rreth 50 km/orë dhe ishte e pajisur me radarë dhe teknologji që ka filmuar çdo gjë, ndërsa anija shqiptare kishte një shpejtësi prej vetëm 19 km orë.
Në orën 18:45, kur ndodhej në mes të kanalit të Otrantos, pavarësisht se kishte ngritur flamurin e bardhë dhe në kuvertë kishte fëmijë, mjeti lundrues u godit nga korveta ushtarake “Sibila”.
“Këtë parandjenjë që do të na godisnim dhe do të bënin një krim? As nuk e kemi menduar fare. Të bënin luftë me fëmijët, të mbysin fëmijët, ndërkohë që ishte e premtja e shenjtë për ata, që e mbajnë veten edhe për besimtarë,” tha Xhavara.
Fillimisht ajo iu afrua deri në 7 metra anijes shqiptare, që ngjante si një varkë letre përballë përbindëshit “Sibila”. Qëllimi ishte të krijonte dallgë dhe anija shqiptare të detyrohej të kthehej pas ose mbytej. Anija ushtarake italiane ishte 5 herë më e gjatë se “Kateri i Radës”. Për shkak të shkeljes së distancës së sigurisë, bashi i “Sibilës” e goditi keqas kiçin e “Katerit të Radës”.
Kjo ishte goditja e parë. Më pas u fërkua përgjatë anijes shqiptare duke i bërë një vrimë me diametër rreth 40 cm në anësore. Goditja e tretë ishte fatalja. Bashi i korvetës italiane goditi kullën e komandimit të anijes së vogël shqiptare, duke i hipur sipër. 4 emigrantë u shtypën në kullën e komandimit. Anija shqiptare u përmbys dhe u mbyt brenda 8 minutash, duke shkatuar një tragjedi me përmasa të mëdha.
Top Channel