Një mbledhëse mbeturinash nga Hucclecote, Gloucester ka gjetur dy këllëfë jastëkësh që mbanin 4 gjarpërinj të mëdhenj Pitonë.
Maria Clutterbuck 54 vjeç, tha: Kur pashë se ishin këllëf jastëku, instinkti im ishte se kishte diçka të gjallë brenda. Mendova se ishin këlyshë ose kotele. Më pas shtypa butësisht një nga këllëfët me këmbë dhe ajo lëvizi.
Zonja Clutterbuck e bëri zbulimin në orën 21:00 dhe e raportoi zbulimin tek shërbimet e urgjencës, pasi dyqani i zvarranikëve ishte i mbyllur.
“Kur thirra policinë, pyesja veten se sa budallaqe do të dukesha nëse do të ishin zorrë makinash larëse apo diçka tjetër. Por unë isha 99 për qind e sigurt se ata ishin gjarpërinj dhe kur policia mbërriti dhe i hapi, kisha të drejtë. Policia erdhi shumë shpejt, mendoj se ata kishin dyshuar nëse ishin gjarpërinj”, u shpreh Clutterbuck.
Nëse Clutterbuck nuk do i kishte gjetur, me shumë mundësi gjarpërinjtë nuk do i kishin mbijetuar temperaturave të ulëta. Sipas Clutterbuck, pronari i gjarpërinjve mund t’i ketë braktisur për shkak të rritjes së faturave të energjisë. Gjarpërinjtë janë zvarranikë me gjak të ftohtë, që do të thotë se ata kanë nevojë për nxehtësi të vazhdueshme për të jetuar.
Nga kamerat e sigurisë u pa se gjarpërinjtë ndodheshin aty që në orën 15:00.
“Në fund të fundit ato janë kafshë shtëpiake dhe me një madhësi të konsiderueshme, dikush duhet t’i ketë pasur prej kohësh. Në momentin që i kanë hedhur në një rrugë kryesore, e kanë menduar edhe faktin se ata mund të ngordhin nga i ftohti i acartë”, u shpreh Clutterbuck.
Top Channel