Njëri prej vullkaneve më aktive të Rusisë shpërtheu sot duke lëshuar në qiell një re gjigande hiri që mbuloi disa fshatra përreth tij.
Vullkani Shiveluç në gadishullin lindor të Kamçatkës shpërtheu pak pas mesnatës, por kulmin e aktivitetit e mbërriti 6 orë më vonë. Tani, hiri i tij llogaritet të ketë mbuluar një sipërfaqe prej 108 mijë kilometrash katrorë e ka mbërritur një lartësi prej 20 kilometrash.
Kreu i degës së Akademisë së Studimeve Gjeofizike Kamçatka thotë se ky shpërthim kishte të paktën një vit që përgatitej. Ekspertët e reagimit ndaj vullkaneve dhanë alarmin për sektorin e aviacionit, duke paralajmëruar se “aktiviteti i vazhdueshëm mund të ketë ndikim edhe në nivel ndërkombëtar tek avionët që fluturojnë në lartësi të ulët”.
Shiveluç ka pasur mesatarisht 60 shpërthime të fuqishme në 10.000 vjet ndërsa i fundit i një intensiteti të madh u regjistrua në 2007. Po sot ndërkohë, re hiri nga vullkani i Nevado del Ruiz në Kolumbi i kujtuan banorëve të zonës kërcënimin e një shpërthimi vdekjeprurës të tij.
Pavarësisht thirrjeve të autoriteteve lokale për evakuim urgjent, shumë nga banorët nuk duan të lënë pas atë për të cilën kanë punuar gjatë gjithë jetës.
“Po u larguam tani, do të lëmë pas gjithcka tonën, të mbjellat, kafshët, dhe kur të kthehemi, nuk do të gjejmë më asgjë”, ka thënë një banor i quajtur Luis Canon.
Shpërthimi i vullkanit i kërcënon ata që prej fundit të marsit, kur numri i lëkundje të përditshme brenda vullkanit u rrit nga 50 në 12 mijë.
Top Channel