Luftimet nuk u ndalën për të dielën e Pashkëve në Ukrainë, me Rusinë që nisi dhjetëra sulme në Bakhmut dhe Avdiivka, në rajonin lindor të Donetskut.
Ushtria ukrainase vuri në dukje se më shumë se 40 sulme të armikut u zmbrapsën në 24 orët e fundit, ndërsa nuk dihet nëse kishte viktima.
Luftimet vazhdojnë të jenë më të ashpra rreth Bakhmut dhe Avdiivka, të cilat ushtria ruse dhe mercenarët e Grupit Wagner i kanë synuar prej muajsh. Mirëpo, sulmet vazhduan edhe gjetkë, me autoritetet ukrainase që konfirmuan se një burrë 50-vjeçar dhe vajza e tij, 11 vjeç, u vranë në një sulm rezidencial në rajonin juglindor të Zaporizhzhia.
Një grua e identifikuar si gruaja dhe nëna e viktimave është nxjerrë nga rrënojat. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy dënoi mbrëmë sulmet e së dielës së Pashkëve.
“Kështu shteti terrorist e shënon edhe të Dielën e Palmës”- tha Zelensky, duke shtuar se: “Kjo është mënyra se si Rusia e vendos veten në izolim edhe më të madh nga bota.”
Ai vlerësoi disa njësi që mbrojnë pozicionet në lindje dhe tha se shpresonte që e Diela e Palmës vitin e ardhshëm “do të ndodhë me paqe dhe liri për të gjithë njerëzit tanë”.
Shumica e 41 milionë banorëve të Ukrainës janë të krishterë ortodoksë që festojnë Pashkët një javë nga tani.
Top Channel