Presioni i Kinës ndaj Tajvanit po rritet. Pas vizitës në SHBA të presidentes tajvaneze, Tsai, Kina filloi të shtunën manovrat ushtarake pranë ishullit. SHBA paralajmëron për një sulm ushtarak dhe pasojat globale të tij.
Të shtunën Kina filloi manovrat ushtarake pranë Tajvanit në kohën e rritjes së tensioneve pranë ishullit. Manovrat treditore janë një “paralajmërim” ndaj “forcave separatiste” në Tajvan bëri të ditur ushtria kineze të shtunën. Ato pasojnë menjëherë pas vizitës së presidentes së Tajvanit, Tsai Ing-ven në SHBA. Tsai e akuzoi Pekinin për “ekspansionizëm autoritar”. Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit bëri fjalë për një rrezikim “serioz” të sigurisë rajonale.
Nëse Kina sulmon ushtarakisht Tajvanin, kjo do të kishte pasoja globale, ka paralajmëruar edhe Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Blinkeni ka thënë për grupin mediatik gjerman, Funke Mediengruppe, se kjo mund të çojë në një krizë ekonomike globale. Tajvani ka një rol kyç në tregtinë globale. “Çdo ditë kalojnë me anije rreth 50% e tregtisë botërore në rrugën detare të Tajvanit. Të paktën 70% e gjysmëpërçuesve prodhohen në Tajvan”, ka thënë Blinken.
Kina nuk e pranon më status-quonë, paqen prej vitesh dhe stabilitetin që ka sjellë ai në rajon. Qeveria në Pekin ka rritur presionin ndaj Tajvanit dhe “nxjerr në pah fuqinë ushtarake”, theksoi Blinken.
Ndihmë e mëtejshme amerikane
Kryediplomati amerikan ka premtuar ndihmë të mëtejshme me armë nga SHBA për republikën e vogël demokratike të ishullit. Në të njëjtën kohë ai ka kërkuar nga qeveria e Pekinit një zgjidhje të konfliktit me marrëveshje. “Duke iu referuar marrëdhënies me Kinën ne kemi qëndrimin që të gjitha dallimet të zgjidhen në mënyrë paqësore.” Blinken theksoi, se SHBA i mbetet politikës “Një Kinë”.
Në shenjë proteste ndaj vizitës së presidentes së Tajvanit, Tsai-Ing-ven në SHBA, Kina vendosi sanksione kundër organizatorëve të aktiviteteve me presidenten tajvaneze, Tsai. Sipas Ministrisë së Jashtme në Pekin, edhe Biblioteka Presidenciale, Ronald Reagan ndëshkohet me sanksione, sepse aty u zhvillua një takim i Tsait me kreun e Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy. Sanksione u vendosën edhe kundër Institutit Hudson, që e vlerësoi me medalje presidenten e Tajvanit.
Qeveria komuniste kineze e shikon Republikën e Tajvanit si pjesë të Republikës Popullore të Kinës të krijuar në vitin 1949, megjithëse Tajvani asnjëherë nuk ka qenë pjesë e saj. Tajvani me 23 milionë banorë e shikon veten si vend të pavarur./DW
Top Channel